E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, zbulohetstatuja antikenë Bylis

FIER- Në afërsi të Parkut Kombëtar Arkeologjik "Bylis", sot gjatë punimeve për sistemimin e rrugës nga Qafa e Kashit në Bylis, që po rikonstruktohet plotësisht, doli në dritë një shtat prej guri gëlqeror, skulpturë antike, pa kokë, e ruajtur në gjëndje shumë të mirë.

Drejtori i parkut, Prof. Dr i asocuar, Bashkim Vrekaj tha se statuja mund të jetë një perëndi lufte, ose një luftëtar ilir, por saktësisht do t'a provojnë studimet në vijim.

Vrekaj tha se ka rëndësi fakti që është një gjetje e rrallë artistike, e punuar nga mjeshtrat e Bylisit, sepse është e punuar me gurin gëlqeror të zonës.

"Është nga trup-statujat e pakta që kemi gjetur në Bylis, sepse këtu portrete kemi gjetur edhe më parë, ndërsa shtatet janë të rralla. Me të, objekteve arkeologjike të Bylisit i shtohet dhe një monument, i rëndësishëm me vlera për kohën e vet":- tha Vrekaj.

Sipas tij, statuja i përket kohës helenistike, rreth shekujve IV –II pes, pra me një moshë mbi 2200- vjeçare.

"Zbulimi ka vlerë pasi tregon se ndoshta në këtë pjesë të teritorit bylin, pak para se të hysh në qytetin antik mund kemi gjetur një monument, tempull, altar,ose ndoshta kemi të bëjmë me një varr monumental. Kjo statujë shton pasurinë arkeologjike të Bylisit":- përfundoi Vrekaj. 

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›