E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, zhduket gjimnazistja 15 vjeçe

Një vajzë 15 vjeçe nga fshati Rreth-Libofshë i Fierit ka vënë në alarm policinë, pasi rezulton e humbur që nga mesdita e së shtunës. Policia nuk e ka klasifikuar humbjen e së miturës si një ngjarje rrëmbimi, ndërkohë që familjarët kanë denoncuar zhdukjen e saj në komisariat. Mungesa e 15-vjeçares në shtëpi është vënë re nga e ëma, rreth orës 15:00 të ditës së shtunë, ndërsa pas disa orësh babai ka bërë një denoncim për zhdukje në polici. Menjëherë pas marrjes së informacionit nga babai i 15-vjeçares së quajtur Xhulieta Agolli, policia ka nisur kërkimet dhe hetimin për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së adoleshentes. Uniforma të shumta policore kanë shkuar në fshatin Rreth-Libofshë dhe kanë marrë në pyetje shumë të afërm të familjes Agolli, si dhe shumë nga shokët dhe shoqet e vajzës, e cila ndiqte shkollën e mesme të përgjithshme në Libofshë.

Familja

Familja Agolli jeton në fshatin Rreth-Libofshë, 24 kilometra larg nga Fieri. Ylmia, nëna e Xhulietës, është e bindur se vajzën e kanë rrëmbyer. "Unë kam dalë nga banesa dhe jam kthyer disa orë më vonë. Shtëpinë e kam gjetur të përmbysur dhe e alarmuar kam njoftuar burrin dhe më pas të afërmit", tregon Ylmia. Ajo tregon gjithashtu se disa ditë më parë e kanë gjetur vajzën duke folur në telefon me numrin 128 të zjarrfikëses. "E pyeta vajzën me kë fliste dhe ajo më tha se fliste me ata të zjarrfikëses. Madje, ai mashkulli që e kam dëgjuar edhe vetë në telefon kishte lënë takim me vajzën time. Unë tek ai i kam dyshimet", thotë nëna e 15-vjeçares së humbur. Ndërkohë, babai tregon se para disa ditësh, teksa kthehej nga shkolla, vajza ishte ndjekur nga dy burra rreth 35 vjeç, të cilët udhëtonin me një fuoristradë. "Ata i kanë dërguar vajzës në shtëpi edhe një letër kërcënuese, të cilën ua kam dhënë atyre të policisë", thotë Maksim Agolli, babai i Xhulietës.

Policia

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, 15-vjeçarja Xhulieta Agolli e ka përgatitur më parë largimin e saj. "Ajo ka shfrytëzuar mungesën e nënës në shtëpi dhe pasi ka veshur rrobat më të mira është larguar. Madje, babai i saj na ka thënë se në shtëpi i mungonte edhe një shumë prej 50 mijë lekësh", thotë nëndrejtori i Policisë së Fierit, Artan Cuku. Numri dy i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, ka pohuar gjithashtu se "15-vjeçarja është parë të lëvizë pa problem nëpër rrugët e qytetit të Fierit". Edhe pse i ati i të miturës këmbëngul para policisë se vajzën ia kanë marrë, duke e mashtruar, policia deklaron zyrtarisht se Xhulieta Agolli është larguar me dëshirën e saj. Po burimet zyrtare policore tregojnë se kanë nisur kontrollet për gjetjen e së miturës. Shumë postblloqe janë ngritur në afërsi të fshatit Rreth-Libofshë, si dhe përgjatë rrugës kombëtare Fier-Lushnjë. Policia ende nuk e ka identifikuar personin me të cilin është larguar adoleshentja, por ka informacione se ai është i dashuri i saj. Nga burime policore mësohet se dy vjet më parë, motra e Xhulieta Agollit është larguar nga shtëpia me dëshirë dhe ka shkuar në Itali, ku punon si prostitutë. Mendohet se motra ka bërë lidhjen e së miturës me një djalë, i cili do ta çonte edhe Xhulietën në Itali. Gjatë gjithë natës së të shtunës, policia ka ushtruar kontrolle në disa nga hotelet dhe motelet e Fierit, ndërkohë që fotoja e vajzës është shpërndarë në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar largimin e saj jashtë vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›