E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvarja, prokuroria merr në pyetje policët e shërbimit

Merren në pyetje policët e shërbimit në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës, të cilët kanë qenë në detyrë ditën kur Demir Mema tentoi të vrasë veten në ambientet e qelisë. Burimet nga prokuroria bënë të ditur se pas ngjarjes së rëndë, që ndodhi në Komisariatin Nr. 1, janë marrë në pyetje edhe disa policë, të cilët kanë qenë me shërbim. Sipas informacioneve, uniformat blu kanë deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore rrethanat e ngjarjes dhe momentin e tentativës së vetëvrasjes së Demir Memës, i cili është arrestuar për vjedhje. Ky i fundit u kap pak ditë më parë, në tentativë për të vjedhur banesën e Gjergj Bojaxhi, i cili është drejtori i KESH-it. Gjithashtu, nga të dhënat hetimore mësohet se është marrë në pyetje edhe protagonisti i kësaj ngjarjeje, pasi është përmirësuar edhe gjendja e tij shëndetësore dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I arrestuari Demir Mema, i cili vetëm dhjetë ditë më parë është liruar nga burgu, duket se nuk e ka përballuar dënimin e tij dhe ridërgimin në qeli, kështu që në depresion ka vendosur t‘i japë fund jetës. Ai ka qenë në qelitë e paraburgimit, kur ka marrë rripin e pantallonave, e ka lidhur në një pikë të fortë mbështetëse dhe e ka vënë në qafë për t‘u vetëvrarë. Në atë kohë, një punonjës policie e ka vënë re dhe ka lajmëruar uniformat e tjera blu që të ndërhyjnë për ta shpëtuar. Menjëherë, protagonisti është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 23-vjeçari Mema është arrestuar në kushtet e flagrancës në orën 21:00 të mbrëmjes së të mërkurës, midis dy banesave dykatëshe në ndërtim të familjes Bojaxhi, në Farkën e Madhe, në periferi të Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›