E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon të rregullojë derën, "i turret" infermieres

Shkoi për të rregulluar derën e qendrës shëndetësore të fshatit ku banonte, por ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me infermieren. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sinjë të rrethit të Beratit, ku punonjësi i mirëmbajtjes së komunës, Agron Toska, është vënë nën hetim për veprën penale "marrëdhënie seksuale me dhunë e mbetur në tentativë". 40-vjeçari Toska, banor i këtij fshati, mësohet se mesditën e djeshme ishte urdhëruar nga drejtuesit e komunës për të rregulluar derën e qendrës shëndetësore të fshatit. Punonjësit e kësaj qendre kishin kërkuar ndihmë për rregullimin e derës së qendrës shëndetësore, që ishte prishur. Mësohet se rreth orës 13:00 të së shtunës, Toska ka shkuar pranë qendrës shëndetësore për të riparuar derën, por kur ka parë se brenda ambienteve të qendrës shëndetësore ndodhej vetëm infermierja, ai ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Infermierja, me inicialet D.L., 23 vjeçe, ka treguar në polici se 40-vjeçari kishte mbyllur derën e jashtme të qendrës shëndetësore dhe kishte tentuar të ushtronte dhunë seksuale. E gjendur në këtë situatë të vështirë, 23-vjeçarja, banore e këtij fshati, ka reaguar menjëherë, duke kërkuar ndihmë. Kanë qenë kalimtarë të rastit, që pasi kanë dëgjuar thirrjet e vajzës për ndihmë, kanë mundur të futen brenda qendrës shëndetësore, nga ku 40-vjeçari është larguar me shpejtësi. Vajza ka mbërritur më pas në Komisariatin e Policisë së Beratit, ku ka bërë denoncimin. Sipas burimeve të këtij komisariati, ndaj 40-vjeçarit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "marrëdhënie seksuale dhe dhunë e mbetur në tentativë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›