E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush i harton testet e maturës

Drejtori i Qendrës së Arritjeve dhe Vlerësimit të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, në një intervistë për "Shqip" ka rrëfyer disa "sekrete" të vogla të maturës. Ai flet për personin sekret që harton testin përfundimtar të provimeve, skemën e korrigjimit të pyetjeve, si dhe për preferencat e të rinjve për lëndët me zgjedhje. Sapo janë përpunuar të dhënat dhe rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve kandidatë për fakultete janë regjistruar në lëndën e "Njohuri për Shoqërinë". Mbi 22 mijë të rinj kanë zgjedhur këtë lëndë krahas 8 të tjerave me zgjedhje. Çka do të thotë se të rinjtë janë të prirur të hyjnë në provim për një lëndë që kapet lehtë. Në limitin tjetër gjendet lënda me zgjedhje frëngjisht, shumë pak e preferuar, pasi është zgjedhur nga vetëm 270 kandidatë. Por ajo çka të bie në sy është se lëndët e profilit natyror janë nënvlerësuar nga maturantët, për Fizikën janë bërë vetëm 2014 kërkesa. Një lëndë kjo mjaft e rëndësishme për konkursin në fakultetet inxhinierike, por që kanë mbetur jashtë vëmendjes së këtij brezi maturantësh. Sipas Luljes, nga plotësimi i formularit A1 rezulton se do të marrin pjesë në provime e maturës plot 42709 të rinj. Në lidhje me testet e provimeve ai tregon se është hartuar fondi i pyetjeve për secilën lëndë, i cili është sa dhjetëfishi i pyetjeve që bien në test. Por sa i vështirë është testi? Kjo varet nga personi sekret i KOEPS-it, i cili zgjidhet nga ministri i Arsimit në sekondën e fundit.

Në çfarë faze gjendet aktualisht puna për maturën, çfarë po bën AVA dhe çfarë po ndodh në shkolla?

Aktualisht jemi duke marrë nga shkollat tabelat me të dhënat e nxënësve me ndonjë korrigjim eventual. Këto tabela janë hartuar nga shkollat dhe përcjellë në AVA nga Drejtoritë Arsimore një muaj më parë. Aty janë hedhur të dhënat e formularit A1, me emrat e nxënësve dhe lëndët që kanë zgjedhur. Pasi u përpunuan këto të dhëna ne i printuam tabelat dhe i dërguam për verifikim në shkolla bashkë me numrin e identifikimit. Tabelat po rikthehen me disa korrigjime. Si për shembull, nëse një nxënës evidenton se datëlindja është plotësuar gabim nga sekretaria e shkollës, është momenti për korrigjim. Ne do t‘i reflektojnë këto ndryshime në bazën e të dhënave.

Nga të dhënat e database, si rezulton numri i të regjistruarve në secilën prej lëndëve me zgjedhje? Cilën kanë preferuar më shumë?

Nga të dhënat rezulton se pjesa më e madhe e kandidatëve për student kanë kërkuar të japin si provim me zgjedhje lëndën e "Njohuri për Shoqërinë". Nga formulari A1 rezulton se 22565 vetë do të hyjnë në këtë test më datë 9 korrik. Nga nëntë lëndët me zgjedhje që kishin si alternativa të rinjtë////////// të dytën kanë preferuar Ekonominë dhe Filozofinë, ku janë regjistruar 11127 vetë. Ndërsa, në kurbën e lëndëve, e fundit renditet lënda e frëngjishtes, që hyri për herë të parë këtë vit si lëndë me zgjedhje.

Po lëndët e grupit natyror sa janë preferuar nga të rinjtë, pasi ato janë kusht edhe për pranimin në degët inxhinierike?

Rezulton të jetë më i ulët numri i atyre maturantëve, që kanë preferuar të japin provim në lëndët e profilit natyror krahasuar me ato të profilit shoqëror. Ndër lëndët natyrore më e preferuara është Biologjia, ku janë regjistruar 7505 vetë, më pas Kimia me 4767 kandidatë dhe në fund Fizika me 2014 maturantë ose kandidatë.

Si shpjegohet kërkesa e madhe për Njohuri për Shoqërinë. Sa maturantë janë në të gjithë vendin dhe sa hyjnë në lëndët me zgjedhje?

Edhe pse nuk është detyra ime të bëj analiza për preferencat e të rinjve, në parim mendoj se kjo lëndë është zgjedhur pasi është më e lehtë për t‘u kapur nga të rinjtë. Pra mësohet shpejt. Por kjo lidhet edhe për preferencat e tyre për Fakultetin e Drejtësisë, të Shkencave Sociale, etj., ku këto lëndë kanë koeficient të lartë. Për sa u përket shifrave: Në lëndën e Letërsisë janë regjistruar 33747 maturantë, në Matematikë 33622 dhe në lëndët me zgjedhje 36168 kandidatë për studentë. Në këtë grup hyjnë edhe maturantët që kanë përfunduar të mesmen para 2008-s, ndaj edhe shifra është më e lartë se në dy lëndët e detyruara. Shifrat për Matematikën dhe Letërsinë nuk janë të njëjta edhe pse këto janë lëndë të detyruara që duhet t‘i japë çdo nxënës që do të marrë dëftesën e shkollës së mesme. Arsyeja e mospërputhjes qëndron në faktin se aty marrin pjesë edhe nxënës përsëritës që s‘kanë arritur të marrin notë kaluese vitin e kaluar. Po kështu shifra varion edhe nga nxënësit e shkollave profesionale, ku disa japin Letërsinë e të tjerë Matematikën.

A janë hartuar pyetjet për provimet. Cilët janë personat që hartojnë testet përfundimtare dhe kur mblidhen ata?

Po, është hartuar fondi i pyetjeve nga një numër i madh mësuesish me rezultate të larta në punë. Për çdo test është mbledhur një sasi që është mbi dhjetëfishin e pyetjeve në test. Pra për lëndën e Biologjisë që ka 20 pyetje është mbledhur një sasi ushtrimesh që e kalon numrin 200. Këto janë klasifikuar sipas linjave të përmbajtjes së lëndëve që janë dhënë për nxënësit për mes programeve orientuese. Jemi në fazën ku redaktorët po bëjnë korrigjimet përkatëse. Përzgjedhja e testit përfundimtar bëhet në periudhën e KOEPS-it (izolim tërësor) nga një person që caktohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, dhe që është i jashtëm nga proceset deritanishme të maturës. Ai merr të gjitha udhëzimet dhe bën hartimin e testit në ambientet tona të izoluara. Më tej bëhet printimi dhe shumëfishimi i testeve në bazë të numrit të maturantëve të regjistruar në secilën lëndë.

KOEPS-i i parë që është për lëndën e Letërsisë izolohet në datat 3-9 qershor, KOEPS-i i dytë që ka të bëjë me provimin e dytë, Matematikën, në datat 11-17 qershor, dhe KOEPS-i i tretë i lëndëve me zgjedhje në datat 3-10 korrik. Për këtë të fundit caktohet nga një person për secilën lëndë. Pra nëntë lëndë me zgjedhje dhe nëntë persona që zgjedhin pyetjet e testeve.

Cili është statusi i punës i personave sekretë të KOEPS-it, mësues apo pedagogë?

Mund të them se përzgjedhja e personave që merren me testin përfundimtar ka qenë e kujdesshme, me përgatitje të lartë profesionale dhe veçanti psikologjike. Ka edhe pedagogë, por në masën më të madhe mësues dhe metodistë.

A ka një program që orienton personat sekretë për caktimin e pyetjeve sipas shkallës së vështirësisë. Cila është skema?

Në programet orientuese janë dhënë edhe pikët që do të zërë secili kapitull në test. Për shembull, në lëndën e Matematikës, profili natyror, statistika si kapitull zë katër për qind të sasisë e pikëve në test. Pra pyetjet që bëhen për këtë mësim janë në sasinë e katër përqindëshit krahasuar me numrin total të pyetjeve për të gjithë lëndën. Përpos kësaj deklaroj se nivelet e vështirësisë së pyetjeve janë tre. Niveli më ulët i vështirësisë zë 40 për qind të pikëve dhe janë pyetje për nxënësit e notës 5 dhe 6. Niveli i dytë, ai mesatar, ka përsëri 40 për qind dhe janë pyetje për nxënësit e 7 dhe 8. Dhe pyetjet e nivelit të tretë të vështirësisë zënë 20 për qind të numrit total të pyetjeve. Janë të shkallës së lartë të vështirësisë, për nxënësit e 9 dhe 10. Personi sekret i KOEPS-it e ka fondin e pyetjeve (dhjetëfishin e pyetjeve të testit) të ndarë sipas niveleve. Kështu nëse një lëndë ka 30 pyetje, 12 janë të nivelit të parë, 12 të nivelit të dytë dhe 6 të nivelit të tretë. Në provimet e detyruara përgatiten më shumë se një test, pasi ashtu siç parashikohet nga Komiteti i Maturës, në shkolla aplikohen programe të ndryshme. Që do të thotë se nxënësit e shkollave për kategori dhe tipe të ndryshme do të plotësojnë teste të ndryshme. Për shembull në Matematikë përgatiten 6 lloje testesh, një test për profilin natyror të shkollave të mesme të përgjithshme, një test për profilin shoqëror, një test për profilin e përgjithshëm, një test për shkollat teknike 5-vjeçare, një për shkollat pedagogjike dhe me kohë të shkurtuara dhe një test për shkollat artistike e sportive.

Për nxënësit e një klase testi do të jetë i njëjtë për të gjithë apo me grupe A dhe B?

Për herë të parë, këtë vit, nxënësit e një salle provimi do të ndahen në grupe A dhe B. Pra do të shpërndahen dy teste me pyetje të ndryshme. Pa u ngatërruar me ato që thamë më lart, testi i veçantë për shkollat profesionale dhe testi i veçantë për shkollat mesme të përgjithshme është tjetër gjë nga testi i veçantë për secilin grup provimi. Për shembull, nxënësit e gjimnazeve do të kenë dy teste, sipas grupit A dhe B, por të shkëputura nga fondi i pyetjeve për këtë lloj shkolle. Po kështu edhe nxënësve të profesionaleve do t‘u shpërndahen në tavolina teste të grupit A dhe grupit B, por të marra nga fondi i pyetjeve të lëndës që bëjnë këta nxënës në shkollë.

Ku duhet të bazohen të rinjtë për të mësuar për katër provimet e maturës?

Sivjet, MASH-i i ka kushtuar një vëmendje këshillimit të të rinjve maturantë. Ky proces është ndihmuar edhe nga botimi në kohë i materialeve, që lidhen me zhvillimin e provimeve. AVA ka vënë në dispozicion disa përmbledhje me teste të maturës 2007 dhe 2006 bashkë me skemat e qortimit dhe çelësin e përgjigjeve të ushtrimeve të zgjidhura. Po kështu janë botuar disa përmbledhje artikujsh që i drejtohen mësuesve. Nuk duhen harruar ato me të cilët po punojnë nxënësit prej muajsh, programet orientuese, ku janë të shënuara temat kryesore të mësimeve, si dhe probabiliteti që ato kanë për të rënë si pyetje provimi.

Për sa ditë dalin përgjigjet me emrat e fituesve të shkollave të larta?

Puna e AVA-s përfundon me korrigjimin e testeve. Përgjigjet me pikët e fituara dalin 15 ditë nga dita e provimit. Ky është rregulli i maturës dhe ne do ta zbatojmë. Ndërsa renditjen e fituesve sipas kuotave të secilit fakultet e vendos Ministria e Arsimit, e cila ka caktuar sistemin meritë-preferencë. Soft-ëear që liston emrat e fituesve nuk gjendet në qendrën e vlerësimit por në Ministrinë e Arsimit. Të paktën kështu ka ndodhur një vit më parë dhe besoj se do të ndiqet e njëjta praktikë. Për sa u përket rezultateve të provimit ne do të bëjmë përpjekjet maksimale që të mos ketë vonesa. Pak problem është lënda e Njohuri për Shoqërinë, që ka mbi 22 mijë teste, por do të angazhojmë më shumë mësues në vlerësim për të mbyllur brenda 15-ditëve korrigjimin. Vlerësimi nga AVA bëhet me pikë dhe më pas pikët konvertohen në notë në bazë të një skeme që do të caktojë Ministria e Arsimit. Ajo vendos limitet me sa pikë merret nota kaluese pesë dhe me sa pikë kapet nota maksimale.

Numri i kandidatëve të regjistruar në provimet me zgjedhje

Lënda Nr. maturantëve

Njohuri për Shoqërinë 22 565

Ekonomi, Filozofi 11 127

Histori 8 461

Anglisht 8 354

Gjeografi 7 275

Biologji 7 505

Kimi 4 767

Fizikë 2 014

Frëngjisht 270

Testi

Shkalla e vështirësisë

Nivelet e vështirësisë së pyetjeve janë tre. Niveli më ulët i vështirësisë zë 40 për qind të pikëve dhe janë pyetje për nxënësit e notës 5 dhe 6. Niveli i dytë, ai mesatar, ka përsëri 40 për qind dhe janë pyetje për nxënësit e 7 dhe 8. Dhe pyetjet e nivelit të tretë të vështirësisë zënë 20 për qind të numrit total të pyetjeve. Janë të shkallës së lartë të vështirësisë, për nxënësit e 9 dhe 10. Personi sekret i KOEPS-it e ka fondin e pyetjeve (dhjetëfishin e pyetje të testit) të ndarë sipas niveleve. Kështu nëse një lëndë ka 30 pyetje, 12 janë të nivelit të parë, 12 të nivelit të dytë dhe 6 të nivelit të tretë.

Testet të ndara në 2 grupe për klasë

Nxënësit e gjimnazeve do të kenë dy teste, sipas grupit A dhe B, por të shkëputura nga fondi i pyetjeve për këtë lloj shkolle. Po kështu edhe nxënësve të profesionaleve do t‘u shpërndahen në tavolina teste të grupit A dhe grupit B, por të marra nga fondi i pyetjeve të lëndës që bëjnë këta nxënës në shkollë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›