Fier, zjarrfikësi bie hero për të shpëtuar tre fëmijë
FIER - Humb jetën në krye të detyrës punonjësi i zjarrfikëses në Fier, në tentativë për të shpëtuar tre fëmijë të bllokuar në katin e tretë. Të paktën ky ishte misioni i 45-vjeçarit Edmond Moçka, ndonëse fëmijët që dyshohej se kishin mbetur të bllokuar në banesë, kishin qenë shëndoshë e mirë duke luajtur jashtë. Alarmin e dhanë prindërit e tre fëmijëve, të cilët kur janë kthyer në shtëpi nuk kanë mundur dot të hapin derën e shtëpisë. Ata i kishin lënë të miturit e moshës 4-8 vjeç brenda kur janë larguar për pak momente. Por kur janë kthyer, bashkëshortët nuk kanë mundur të hapin dot derën. Trokitja e gjatë dhe heshtja nga brenda ka vënë në alarm çiftin, duke menduar se diçka e keqe mund t'u kishte ndodhur të miturve pa praninë e tyre. Ata njoftuan menjëherë shërbimin special pranë zjarrfikësve, i cili funksionon në raste të ngjashme. Bashkë me disa kolegë të tij, 45-vjeçari Moçka, baba i dy fëmijëve mbërriti tek pallati që ndodhet në lagjen "Apolonia" të Fierit. Ndonëse banesa ndodhej në një pallat të ndërtuar para '90-ës, dera e shtëpisë së familjes që vuri alarmin ishte e blinduar, duke e bërë të pamundur hapjen e saj në forma të tjera. Punëtori i zjarrfikëses ka tentuar të ngjitet në katin e tretë të pallatit, duke hedhur litarin që shërben në raste të tilla, në hekurat e ballkonit. Ende nuk është konfirmuar nga policia se si litari është shkëputur kur viktima është ngjitur në katin e tretë dhe ndodhej fare afër ballkonit për t'u futur në apartamentin ku mendohej se kishte tre fëmijë të bllokuar, fati i të cilëve ende nuk dihej. Ngjarja alarmoi gjithë banorët e pallatit të cilët u mblodhën duke parë misionin e shpëtimtarëve. Momenti kur është shkëputur litari terrorizoi dhjetëra banorë. Sipas policisë, punonjësi i zjarrfikëseve ra nga lartësia duke humbur ndjenjat. Kolegët e tij dhe policia e nisën menjëherë në spitalin e Fierit, por ai nuk mundi të mbijetojë. Burime nga spitali i Fierit bëjnë të ditur se punonjësi i zjarrfikëseve nuk kishte pësuar lëndime të jashtme fizike që t'i kushtonin atij jetën, por mendohet se ka pësuar një hemorragji të brendshme. m.r