Helmimi masiv, dyshohet dizenteria
BALLSH/ MAJLINDA RAMA
Qyteti i Ballshit dhe shtatë fshatrat e tij janë përfshirë në një situatë të jashtëzakonshme, për shkak të helmimit masiv, simptomat e së cilës janë paraqitur që të premten e kaluar. Banorët ndodhen në panik, pasi dje numri i pacientëve arriti në 200, përfshirë këtu edhe fëmijë e të moshuar. Ndërkohë, paniku për një dizenteri të mundshme ka prekur jo vetëm banorët, por edhe specialistët e mjekësisë. Burime nga spitali bënë të ditur se më shumë se 80 persona janë paraqitur më shumë se dy herë për të marrë mjekim për shkak të komplikacioneve. Edhe ditën e djeshme kishte fluks pacientësh, nga 7 deri në 70 vjeç. Shumë prej tyre janë nxënës shkollash. Dje numri i të regjistruarve për herë të parë në spital, shkoi në 100. Pamja që shfaqet që në hyrje të spitalit të Ballshit është kaotike. Mbingarkesa e pacientëve ka bërë që shumë prej tyre të marrin mjekimet në korridorin e këtij spitali. Shumë të tjerë, kryesisht fëmijë, ishin vendosur nga dy vetë në një shtrat, për shkak se spitali nuk mund ta përballonte fluksin. Pacientët janë nga Ballshi dhe nga fshatrat Hekal, Aranitas, Lapulec, Drenovë, Qafa e Kashit, Ballsh i Vjetër, etj. Rastet e paraqitura ishin me simptoma të njëjta, diarre, të vjella dhe temperaturë në disa raste. “Jam shumë keq dhe nuk lëviz dot. Kam të vjella, debulesë, marrje mendsh, dhimbje barku”, u shpreh Mirash Nora nga fshati Lapulec. Shumë pacientë, gjendja e të cilëve ishte e rëndë, u nisën dje për në spitalin e Fierit. Ndonëse nënkryetari i Bashkisë së Ballshit, Arjan Ndreu u shpreh se nga analizat e para që janë bërë, uji nuk është i ndotur, banorët janë urdhëruar të mos e konsumojnë atë deri në një urdhër të dytë. “Përgjigjet e para të ujit tregojnë se nuk është i ndotur. Nuk mund të flasim vetëm për ujin sepse ka pasur raste nga fshatra, të cilat nuk furnizohen nga ky rrjet ujësjellësi”, u shpreh Ndreu. Sipas tij, po dje është nisur një tjetër kampion për analiza. “I bëjmë këto analiza të përsëritura për të qenë të sigurt”, tha nënkryetari i bashkisë. As drejtoresha e Spitalit të Ballshit, Luljeta Bregasi, nuk e përjashtoi mundësinë e helmimit nga uji. Por sipas saj, do të jetë rezultati i analizave përfundimtare, që do të përcaktojë nëse shkak i helmimit masiv ishte uji. Ndërkohë, drejtoresha shkoi edhe më tej në dyshimin e saj, deri në një dizenteri të mundshme. “Nuk di se çfarë të them, por fakti që në spital ka prurje nga zona rurale, në të cilat nuk shtrihet i njëjti tubacion uji, na bën të mendojmë që mund të mos jetë helmim por ndonjë sëmundje si dizenteria, salmonela, shigela, etj”, u shpreh Bregasi. Ndërsa Anila Moci, shefe e epidemiologjisë në Fier u shpreh se “janë marrë të gjithë kampionët. Analizat e para tregojnë se nuk ekziston mundësia e një helmimi me lëndë kimike, çka hedh poshtë dyshimet e një helmimi të qëllimshëm të ujit. Analizat paraprake të ujit janë mirë. Edhe treguesit fiziko –kimikë që ne i kishim merak dolën mirë. Tashmë po presim përgjigjet e analizave mikrobiologjike, të cilat mund të mbërrijnë nesër ose pasnesër. Nuk ka vend për panik, gjithçka është nën kontroll”. Bashkia ka ngritur një grup pune për verifikim në terren të gjithë tubacioneve në lagjet e qytetit, deri në shpërndarjen e tyre në zonat rurale. Një dyshim ka të bëjë edhe me bashkimin e ujërave të zeza me ato të bardha, për shkak të çarjes së tubacionit.
Pipero: Nën kontroll situata në Ballsh
Gjendja shëndetësore e personave te shtruar dy ditë më parë në spitalin e Ballshit dhe të Fierit është nën kontroll. Deklarata vjen nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës nuk ka asnjë pacient që vazhdon të jetë i shtruar ne spital pasi simptomat kanë qenë të lehta dhe të mesme. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në ministri, Pëllumb Pipero, bëhet fjalë për një gastroenterit (çrregullim të aparatit tretës) të kufizuar, megjithatë analizat do ta konfirmojnë nëse është helmim nga uji. “Ka pasur një shpërthim me gastrointerite. është një sëmundje që ne e konsiderojmë infektive akute e shkaktuar kryesisht nga marrja e ushqimeve të kontaminuara apo edhe ujit të kontaminuar. Shpërthimi ka qenë i kufizuar. Aktualisht nuk ka asnjë rast të shtruar në spital. Ka raste që marrin ndihmë mjekësore, por nuk ka raste të shtruara për me shumë se dy orë”, u shpreh Pipero. Sipas tij, autoritetet shëndetësore shqiptare me të marrë njoftimin nga spitali i Ballshit, me një ekip të kryesuar nga vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili kanë verifikuar në vend situatën. Gjithashtu janë dërguar ekipe mjekësore nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Spitali Rajonal i Fierit. Numri total i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda dy-tre ditëve ka qenë rreth 200 persona.
Pacienti: Më kapi paniku
Bujar Bregasi është një ndër pacientët e shtruar në spitalin e Ballshit. Ai u ndie keq papritur dhe u detyrua t’i drejtohej spitalit. “Kisha shumë dhimbje barku, temperaturë të ulët dhe të vjella pa fund. Kjo më alarmoi, pasi duke parë edhe gjendjen e të tjerëve m’u shtua meraku”, tregoi ai nga ambientet e spitalit. Brehasi ka pasur “fatin” që të qëndrojë i vetëm në një shtrat të spitalit gjatë kohës që merrte mjekimin, përballë fluksit të madh të pacientëve që kërkonin ndihmë urgjente. Pacienti tregon se nga familja e tij vetëm ai është i prekur nga këto simptoma. “Ne hamë ushqim të gatuar në shtëpi. Kafe nuk kam pirë jashtë, nuk di ç’të them. Mbetet vetëm uji për t’u verifikuar”.