E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarë të suksesshëm në SHBA nën blicin e Tashos



Alma Mile

Ata ia kanë dalë. Kanë marrë parasysh të gjitha e sot janë të suksesshëm. Që kur shqiptari i parë u nis drejt Amerikës, këtu e 114 vite të shkuara, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jeton një komunitet i konsoliduar emigrantësh. Janë ata që jetojnë prej disa brezash në Amerikë dhe të tjerët që kanë shkuar drejt “Tokës së premtuar”, pas viteve ’90. Fotografi Roland Tasho, ka shkuar e ka takuar shumë nga ata. Ka fiksuar portretet e tyre dhe na i sjell në një ekspozitë dhe një album fotografik të quajtur “I speak albanian”. Janë 120 fotografi me rreth 300 personazhe, që jetojnë e punojnë në SHBA. Duke dashur të ofrojë një imazh pozitiv të shqiptarëve, kudo që janë, për të ofruar pak shpresë, Tasho ka gjurmuar disa nga më të suksesshmit. Janë avokatë, informaticienë, mjekë, biznesmenë, artistë..., të cilët kanë arritur të gjejnë veten edhe në një vend që nuk është i tyre, por, që po i trajton si amerikanë të vërtetë. Mes tyre është sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho, artistët Pirro e Pavlina Mani, informaticieni Edvin Tela, Oltiana Mara financiere, Anila Angjeli arkitekte, avokatja Viola Trebicka, studentët Arbër Demiraj, Romina Dosti, Christian Ndreko, e shumë e shumë të tjerë. Të gjithë kanë nga një histori personale e që fatmirësisht janë histori suksesi. Pasi ka realizuar disa ekspozita të ngjashme në Itali, Zvicër e Greqi, për të dokumentuar degët shqiptare, kudo që ato janë shpërndarë, Tasho thotë se ndryshimi vihej re, menjëherë në Amerikë. “Si janë vendet është edhe emigracioni. Vend i madh, demokraci e madhe.. dhe emigrantët reflektonin këto karakteristika. Emigrantët shqiptarë ishin shumë më të suksesshëm, më të hapur, më të komunikueshëm në Amerikë. Të bënte përshtypje që ishin shumë të dhënë pas shkollimit, fëmijët dhe të rinjtë shkonin në shkollat dhe në universitetet më të mirat amerikane. Ndërsa brezi që kishte mbaruar shkollën, ishte punësuar, kishin zënë pozicione të mira, kishin ecur shumë dhe kishin përmirësuar imazhin e shqiptarëve në Amerikë, që dikur merreshin më së shumti me restorante”, tregon Tasho, i cili për tre muaj me radhë ka udhëtuar në shtetet ku ndodhen komunitetet më të gjera të shqiptarëve. Ai thotë se nuk ishte shumë e vështirë për t’i gjetur ata. “Atje është një komunitet i mirorganizuar. Sa më larg, aq më të lidhur janë me njeri tjetrin. Kanë shoqata, të cilat funksionojnë vërtetë dhe jo si shumë që kanë parë në vende të tjera. Organizojnë aktivitete, promovime librash, hapje ekspozitash. Janë më elitarë”, thotë fotografi. Mes 120 fotografive gjen edhe personalitete të artit si shkrimtari Naum Prifti, aktori Erjon Mustafaraj, fotografi Fadil Berisha, regjisori Sten Dragoti, aktorja Eliza Dushku, apo fotomodelja Valbona çoba, por shumica janë njerëz të thjeshtë, të cilët nuk janë mësuar me blicet e aparateve fotografikë. “Fillimisht nuk kishin dëshirë që të dilnin fotografi, por kur u thoshe se do bëje diçka përfaqësuese për Shqipërinë, të gjithë ishin të gatshëm, për të qenë bashkëpunëtorë, duke dhënë propozime dhe mendime të tyret dhe jo thjesht njerëz që pozonin”, shton Tasho, i cili duket se ruan një ndjesi mjaft të mirë nga kontakti me bashkëkombësit në Amerikë. Ai thotë se ata ishin më të qeshur, më pak të stresuar, shumë të komunikueshëm dhe gjithnjë të angazhuar në punë e në aktivitete të tjera. “Pyesnin shpesh për Shqipërinë. Pyetja e përbashkët e të gjithëve ishte: “Kur do të bëhet Shqipëria?”.
Ekspozita
Ekspozita “I speak albanian” u hap mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar. Merrnin pjesë përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, mes të cilëve Ambasadori Amerikan Xhon Uidhers, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferi, miq e të ftuar të fotografit Roland Tasho, por edhe të afërm të personazheve të fotografuar prej tij. Duke i parë në fotografi, çmalleshin sado pak me fëmijët, apo me të afërmit që kanë larg, por në të njëjtën kohë ndiheshin krenarë, që ata renditeshin mes “të suksesshmëve”. Duke shprehur keqardhjen se nuk di shqip, edhe pse ekspozita titullohet “I speak albanian”, Ambasadori Xhon Uidhers shprehu krenarinë për ata shqiptarë, të famshëm, apo njerëz të thjeshtë, që kanë dhënë aq shumë për vendin e tij.
“Sot, më shumë se një milion amerikanë e quajnë veten me krenari shqiptaro-amerikanë, disa prej të cilëve janë portretizuar në përmbledhjen e mrekullueshme e fotografive të Roland Tashos. Libri i tij i mbërthyer në mënyrë të përsosur me idenë e mozaikut: foto individësh, që të gjithë të lidhur nga filli i identitetit të të tyre si shqiptaro-amerikanë, por njëkohësisht edhe të veçantë sipas mënyrës së tyre... Nëpërmjet këtij libri, Roland tasho, ka dokumentuar një copëz të vogël të trashëgimisë së pasur shqiptaro-amerikane. Fakti që këto foto kanë kapërthyer mbarë spektrin e jetës në Shtetet e bashkuara, që nga studentët, bankierët, kirurgët, dëshmon për suksesin që shqiptaro-amerikanët kanë arritur në vendin tim”, shprehet Uidhers në hyrje të katalogut, i cili u prezantua dje, së bashku me ekspozitën. “Pasi të mbarojë ciklin e ekspozimit në Tiranë, “I speak albanian” do të lëvizë në Boston, Nju Jork, Detroit, etj., atje ku nisi zanafilla e kësaj ekspozite, të mundësuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Fondacioni “Soros” dhe “FAVA”. E rrugëtimi nuk mbyllet këtu. Fotografi Roland Tasho do të niset drejt një tjetër shteti, Francës, ku do vihet në gjurmë të komunitetit shqiptar, atje.
114 vjet histori
Sipas të dhënave më të fundit që i përkasin vitit 2009, në SHBA jetojnë 400.000 persona me origjinë shqiptare. Nga këta mbi 100 mijë persona nga Shqipëria emigruan në SHBA prej vitit 1990, duke marrë qytetarinë amerikane, çka e kishin të pamundur ta kërkonin gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste, apo duke marrë azilin politik, duke u pranuar në universitetet e SHBA-së, duke u pajisur me viza pune, ose duke fituar Lotarinë e Emigracionit DV, sponsorizuar nga Qeveria e SHBA. Megjithatë, sipas drejtorit ekzekutiv të rrjetit të informacionit “Frosina”, Van Christo, është e vështirë të jepet një numër i saktë i shqiptarëve që jetojnë në SHBA. Sipas tij, mendohet që shqiptari i parë që shkoi në Amerikë ishte Koli Kristofori. Ishte viti 1896, kur burri nga Katundi i Korçës mbërriti në Boston të Massachusetts, duke nisur kështu valën e emigrimit drejt vendit të largët.

Kthim në të shkuarën
“Kur takova kushërinjtë amerikanë, të cilët në fund të letrave që na shkruanin atëherë nuk harronin të shtonin “Lusim Zotin edhe për ju!”, u riktheva pas në fëmijëri, tregon fotografi Roland Tasho. Grupet e parë të turistëve shqiptaro-amerikanë filluan të vizitonin Shqipërinë në vitet ’80. Grupi i parë i përbërë nga të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve nuk dinin fare shqip, erdhën në vitin 1979. Ishin të qeshur, të natyrshëm, të veshur bukur dhe dalloheshin menjëherë nga të rinjtë shqiptarë të asaj kohe. Më kujtohet që u bënte shumë përshtypje xhiroja, pasi nuk arrinin ta kuptonin përse ai lumë njerëzish shkonte deri në fund të bulevardit për t’u rikthyer sërish”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›