Lian Lutfija,kthimi i piktorit të Stambollit
“Përhumbje diku...” është titulli i ekspozitës së dytë vetjake pas kthimit në atdhe të piktorit Lian Lutfija. Në harkun kohor të një viti, artisti shqiptar që vjen nga Stambolli, sjell rreth 20 punime të reja në pikturë, të cilat i përkasin stilit impresionist. Ekspozita hapet sot në orën 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 maj. Vitin e kaluar ekspozita e parë e autorit në Tiranë, me titull “Fllad impresionist” u hap në mjediset e Ministrisë së Kulturës, duke tërhequr vëmendjen e publikut. “Më tërheq impresionizmi, ndjehem më afër tij, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre. Dhe në punimet e mia përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë’, shprehet Lian Lutfija. Artisti 32- vjeçar Lian Lutfija ka 15 vjet karrierë jashtë vendit me 10 ekspozita vetjake, të hapura sidomos në Stamboll.