Kameron tani kryeministër, bën betimin te Mbretëresha
Lideri konservator David Kameron është kryeministri i ri i Britanisë, pas dorëheqjes së Gordon Braun. Sipas BBC, Kameron, 43 vjeç tashmë është vendosur në zyrat kryeministrore në Downing Street pas vizitës në Buckingham Palace ku pranoi formalisht kërkesën e Mbretëreshës për të formuar Qeverinë e re. Ai u shpreh se kishte si synim formimin e koalicionit të duhur dhe të plotë” me Liberalët Demokratë për të siguruar “një qeveri të fortë dhe të qëndrueshme”. Partia e tij fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet e përgjithshme të javës së kaluar që u zhvilluan në Britani, por jo shumicën e nevojshme. Gjatë një konference në Downing Street, Kameron tha se ai dhe Liberalët Demokratë, me liderin Nick Clegg do të “linin mënjanë diferencat partiake dhe do të punonin për të mirën e përbashkët dhe interesin kombëtar. Ai vlerësoi punën e ish-Kryeministrit Gordon Braun për vitet e gjata në shërbimet publike dhe tha se do të përpiqej për të zgjidhur problemet e Britanisë (deficiti, problemet sociale dhe reformimi i sistemit politik)”. Kameron theksoi se gjatë rrugës parashikohet që të ketë momente kur do të merren vendime të vështira, por që gjithçka do të bëhet për hir të një të ardhmeje më të mirë. Konservatorët prej ditësh kanë negociuar me Liberalët Demokratë të cilët nga ana e tyre kanë qenë në negociata me Laburistët. Gjithsesi Liberalët Demokratë u shprehën se bisedimet me Laburistët dështuan sepse “Partia Laburistë asnjëherë nuk e mori seriozisht çështjen e formimit të një Qeverie progresive dhe reformuese”.
Marrëveshja Formale
Zëdhënësi i Konservatorëve u shpreh se drejtuesit kyç të Laburistëve “dhanë përshtypjen se prisnin dështimin e bisedimeve” dhe Partia nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të rënë dakord mbi çështje të tilla si financimi i shkollave apo reforma e taksave. Gjithsesi Lord Mandelson i Laburistëve tha për BBC se ata kanë qenë duke biseduar për një marrëveshje me Liberalët Demokratë, por që këta të fundit kishin krijuar shumë barriera dhe pengesa që të bëjnë të mendosh se interesat e tyre shtrihen në anën e Konservatorëve më shumë sesa në anën progresive. Pasi u bë e qartë që bisedimet kishin dështuar Braun dha dorëheqjen. Në një deklaratë ai falënderoi stafin, gruan dhe fëmijët e tij të cilët ju bashkuan çiftit për të shkuar në Buckingham Palace. “Ka qenë një privilegj që kam shërbyer. E kam dashur këtë punë jo për prestigjin, titujt dhe ceremonitë(të cilat nuk më pëlqejnë aspak). Jo, e kam dashur këtë punë për fuqinë e të bërit këtë vend më tolerant, më të gjelbër, më demokratik, më përparimtar dhe më të madh sesa Britania e Madhe”, u shpreh Braun.