E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një koloni artistike në Pogradec



Përgjatë një jave u mbajt në qytetin e Pogradecit “Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv Pogradeci ‘10". Merrnin pjesë në të rreth 20 artistë nga Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Italia, Shqipëria. Mes tyre emra të njohur në vendet nga vinin si Simonida Filipova, Denis Tenev, Safet Spahiu, Slavenka Gancheva, Sefkat Islegen, Merita Jaha, Jona Dividi, Agron Polovina, etj. Aktiviteti u realizua nga Shoqata “ANTIK”, me mbështetjen e MTKRS si dhe deputetit të zonës, Fatbardh Kadilli. Vendi i realizimit të kolonisë ishte Vila “INBLEON”, një ndërtesë karakteristike e ndërtuar në vitin 1922, që u ofroi komoditet dhe intimitet artistëve. Gjatë qëndrimit në Pogradec artistët patën mundësi të vizitonin vende turistike të rajonit, Voskopojë, Lin etj. Me gjithë vizionin modern të artistëve, ata nuk mundën t’i shpëtonin mbresave që u la natyra e Pogradecit. Sipas drejtuesit të projektit Saimir Ahmeti “Kjo koloni është fillimi i një tradite të re, që do të ketë Pogradecin si një pikë takimi për artistet profesionistë, të cilët do të ballafaqojnë vizionet dhe eksperiencat e tyre profesionale”. Piktori Anastas Kostandini, e quajti fat që është zgjedhur Pogradeci si vendi i realizimit të projektit. Kjo koloni është pjesa e parë e projektit “POGRADECI ‘10", që do të ndiqet nga një tjetër koloni artistike në muajin tetor, me piktorë që lëvrojnë gjininë e peizazhit si dhe të Festivalit Mbarëkombëtar të Fjalës Artistike “Pogradeci ‘10".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›