Piramida, zbardhet skema e mashtrimit
Fatos Mahmutaj
Premtimet për shumëfishimin e parave dhe për marrjen e titujve fiktivë, kanë qenë një mënyrë e mirë e shfrytëzuar nga dy kosovarët e arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, për vjedhje me anë të mashtrimit. Ata u ofronin personave të ndryshëm tituj fiktivë në dy kompanitë e tyre po ashtu fiktive, “Euro Life” dhe “Gemak”, të themeluara nga dy kosovarët Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, të arrestuar një javë më parë në Tiranë. Ata akuzohen se kanë futur në rrjetën e mashtrimit plot 320 qytetarë shqiptarë, të cilëve u ofronin mundësi të rreme trajnimi në fushën e biznesit kundrejt pagesave të anëtarësimit. Për pak javë aktivitet në Shqipëri, duke u hequr si përfaqësues të kompanive serioze ndërkombëtare dy të rinjtë kanë mundur të shtinin në dorë plot 760 mijë euro, të cilat viktimat e tyre i depozitonin në bankë në numrat e llogarisë të hapura nga mashtruesit me mendimin për t’u bërë më të besueshëm. Dy të rinjtë ndodhen në qeli, ndërsa në policinë e Tiranës vazhdojnë të depozitohen njëri pas tjetrit denoncime të reja, çka ka bërë që të rritet shuma që ata kanë mundur të mbledhin gjatë aktivitetit tipik piramidal. Operacioni policor për arrestimin e tyre u kodua “Rruga pa sukses”. Kapja e kosovarëve u bë në momentin që ata po përgatiteshin për të nisur seminarin e radhës të mashtrimit. Më poshtë po publikojmë vendimin gjyqësor për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre.
“Sipas prokurorit nga referimi i bërë prej policisë gjyqësore janë siguruar të dhëna se shtetasi Valon Kyçyku është person me shtetësi Kosovare. Ai së bashku me kosovarin tjetër Burim Haxhiolli dhe persona të tjerë nga Kosova dhe Maqedonia, mendohet se kanë krijuar një skemë mashtruese piramidale, (të paligjëruar në QKR, etj), fshehur nën paraqitjen e takimeve dhe seminareve për biznes. Kjo skemë është finalizuar në trajtën e një shoqërie e cila në Shqipëri fshihet pas dy emrave “Euro Life” dhe “Gemak”. Personat e anëtarësuar propagandojnë se qendra e saj është në Zvicër, por e përhapur në Suedi, Itali dhe Maqedoni. Sipas prokurorisë Kyçyku premton pajisjen me certifikatë për biznes dhe kërkon shtrirjen gjithnjë e më shumë të shoqatës me anëtarë të rinj, duke nxitur anëtarët aktualë për gjetjen e personave të tjerë që të regjistrohen në këtë subjekt. Takimet me anëtarët e shoqërisë janë bërë çdo dy javë, në një hotel në Vorë, Tiranë e më pas në një bar-restorant luksoz në periferi të kryeqytetit. Në këto takime marrin pjesë 25-30 persona dhe në to nuk lejohet hyrja e personave që nuk janë anëtarë të organizatës. Në takim relatorët kanë paraqitur argumente të ndryshme për të bindur të anëtarësuarit, mbi sigurinë e investimit të tyre në këtë shoqëri, duke theksuar se ata kanë investuar edhe në një program prej miliona eurosh, të disa bizneseve të njohur evropiane. Për tu bërë anëtarë të shoqatës nevojitet të paguhet shuma prej 2290 eurosh dhe regjistrimi kryhet në Ohër, Maqedoni, në hotel “Metropol”. Nëse një pjesëmarrës siguron tre persona të tjerë për tu regjistruar, i bëhet ulje. Në këtë mënyrë anëtarët stimulohen për të gjetur pjesëmarrës të rinj. Shtetasi Valon Kyçyku ka regjistruar shumë hyrje-dalje në Shqipëri. Personat nga Kosova dhe Maqedonia që e shoqërojnë atë nuk dihet a janë anëtarë të shoqatës. Për tu anëtarësuar në shoqatë është e nevojshme të plotësohet një formular pas pagesës së një shume prej 15 euro. Nga organi i akuzës është autorizuar kryerja e veprimeve të simuluara me shtetasit Valon Kyçyku, Burim Haxhiolli dhe A.M. Po ashtu është autorizuar edhe përgjimi i tyre në vende publike. Sipas prokurorisë nga përgjimi ambiental dhe veprimet simuluese të datave 6 dhe 7 prill 2010, ka rezultuar se struktura është e organizuar në hallka të ndryshme të cilat bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për shitjen e një produkti që është “Kursi privat për zhvillime profesionale” dhe “Libra”. Në momentin e regjistrimit personi bëhet automatikisht “Asistent Aspirant”. Pas dy shitjeve të produktit, pra sigurimit të personave për kursin privat, personi i regjistruar bëhet “Asistent”, nëse asistenti realizon nxjerrjen e “asistentëve të tjerë” ai pozicionohet si “Asistent Menaxher”, e në këto kushte krijohen struktura të veçanta, pjesëtarët e të cilave bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Hallkat e tjera të skemës janë “Lider menaxheri”, “Drejtori gjeneral” dhe “Gjeneral drejtori”. Anëtarët paguhen për sigurimin e çdo personi për tu bërë anëtar i skemës. Sipas organit të akuzës struktura është e ndarë në zona të veçanta, të cilat përfshijnë rrethe të ndryshme. Shtetasi A.D. vepron në zonën e veriut të Shqipërisë. Personat paguajnë nga 2290 euro. Veç kursit janë prodhuar edhe katër libra ku dy të parët i dorëzohen personit automatikisht në momentin që ai paguan shumën, ndërsa librin e tretë dhe të katërt e merr gradualisht në varësi të punës që bën. Për pjesëmarrësit organizohen seminare zhvillues të vazhdueshëm. Pra, organizohen takime, që emërtohen “kurse”, në të cilat dhe në tërësi edhe në takimet ndërpersonale, anëtareve nuk u ofrohen biznese konkrete. E vetmja rrethanë që përbën burimin e fitimit e për pasojë të vetmin objekt të biznesit, është gjetja e anëtareve të rinj. Janë vetëm shumat e paguara prej këtyre të fundit, të cilat do të shërbejnë si fitim direkt apo indirekt për anëtaret e tjerë të strukturës. Prokuroria arriti t’i paraqiste gjykatës edhe kopje ekstrakt të librave që shpërndahen nga organizata. Nga ana tjetër prokurori i paraqiti gjykatës edhe dokumentacionin e transfertave bankare. Gjatë vitit 2009 janë kryer në numër të konsiderueshëm pagesa dalëse me përfitues shoqërinë “Eurolife Dooe” në vlerën 591.384 euro dhe pagesa hyrëse nga kjo shoqëri në emër të personave të ndryshëm me vlerë 168.541 euro. Në këto kushte organi i akuzës dyshon se shtetasit Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli kryejnë veprën penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, ndaj vendoset masa e sigurisë “arrest në burg” për ta”, -përfundon vendimi gjyqësor.
Kartat e kreditit, vjedhja me sms, hakeri në Prishtinë
TIRANE – Tetë personat e arrestuar në Tiranë dy ditë më parë gjatë aksionit të koduar me emrin “Concord” kanë bashkëpunuar me një haker ende të pa identifikuar me qëndrim në Prishtinë. Burime nga grupi i hetimit thanë se njësia Task- Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, ka zbardhur tërësisht skemën e vjedhjes së kartave të kreditit të shtetasve amerikanë, së cilëve u janë marrë paratë nga kontot e tyre bankare për bileta që nuk i kanë përdorur kurrë. Tetë personat e arrestuar në Tiranë, Ilir Arapi, Erjon Jaupllari, Etleva Minxhozi, Elizabeta Bengasi, Flora Nikaj, Zenel Bushala, Ken Kormani dhe Arjan Troka punonin në agjenci udhëtimesh. Prej datës 25 janar 2010 kur filloi hetimi deri në ditët e fundit ata merrnin para kesh në zyrat e agjencive të tyre nga udhëtarët që përdornin kompanitë ajrore nga Shqipëria. Pasi u merrnin paratë kesh udhëtarëve, të arrestuarit i dërgonin të dhënat e pasagjerëve një hakeri me banim në Prishtinë. Ky person thyente kodet e kartave të kreditit të shtetasve amerikane duke blerë me paratë e tyre biletat e udhëtimeve madje duke siguruar edhe vende “luksoze” në avionë. Shtetasit amerikanë pritet të rimbursohen pasi është verifikuar se nuk kanë përdorur asnjë nga biletat e paguara nga kartat e tyre bankare ndërsa të humbura dalin kompanitë ajrore shqiptare. tr.so
Piramida e kosovarëve, nëntë denoncime të reja
Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë depozituar edhe 9 kallëzime të tjera nga qytetarë të mashtruar nga skema piramidale e dy kosovarëve të arrestuar gjatë operacionit “Rruga pa sukses”. Ditën e hënë oficerët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik të kryeqytetit, kanë marrë kallëzime nga tre persona të mashtruar nga Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli dhe secili kanë treguar vërtetimet e lëshuara nga banka në momentin kur kanë depozituar nga 2290 euro në llogarinë e kompanisë “Euro Life Dooel”. Të njëjtin veprim kanë kryer dje edhe gjashtë persona të tjerë, të mashtruar në të njëjtën mënyrë. Burime nga policia thanë se personat që kanë kallëzuar mashtrimin që u është bërë nga dy kosovarët, janë të gjithë me arsim të lartë, madje dy prej tyre punonjës të administratës shtetërore. Pritet që në ditët në vazhdim të depozitohen edhe kallëzime të tjera, të cilat do referohen në Prokurorinë e Tiranës, në Zyrën e Task- Force, për t’iu bashkangjitur dosjes hetimore në ngarkim të Kyçykut e Haxhiollit. e.d
Piramida e mashtrimit
Arrestuar
Valon Kyçyku
Burim Haxhiolli
Në kërkim
A.M., A.D.
Firmat fantazmë
“Euro Life”, “Gemak”
Titujt që ofroheshin
“Asistent Aspirant”
“Asistent”
“Asistent Menaxher”
“Lider menaxheri”
“Drejtori gjeneral”
“Gjeneral drejtor”.