E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, zjarri shkrumbon pikën e llotos

FIER- Një zjarr që ka rënë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një pikë lloto në qytetin Fier, ka djegur lokalin dhe gjithë pajisjet elektrike që ndodheshin brenda tij. Flakët janë diktuar rreth orës 08 e 15 minuta, prej punonjësve të lokalit. Fillimisht nga dhoma ku ndodheshin kompjuterë dhe ekrane televizorësh ka dalë një shtëllungë e madhe tymi. Më pas, tymi dhe flakët sa hap e mbyll sytë kanë përfshirë gjithë hapësirën e lokalit të llotos, madje edhe pjesën e lokalit që shërben si kafene. Klientët që ndodheshin atë çast, duke shijuar kafenë e mëngjesit, kanë dalë të tmerruar jashtë lokalit. Zjarri ka rrezikuar edhe familje të tjera që banojnë në ndërtesën ku ndodhet lokali. Ai është i ndërtuar në katin e parë të një pallati pesëkatësh, në lagjen "Kastrioti" Fier. Punonjës e kamerierë, të ndihmuar dhe nga një pjesë e klientëve, janë përpjekur të neutralizojnë flakët. Edhe pse janë përdorur mjete rrethanore, madje edhe shuarëse zjarri, nuk është arritur të ndalohej përparimi i këtij të fundit. Në vendngjarje kanë mbërritur mjete zjarrfikëse, si dhe forca të policisë së rendit. Pas izolimit të vatrës së flakës, zjarrëfikësit kanë arritur të shuajnë edhe flakët, duke shpëtuar lokalin nga shkrumbimi i plotë. Dëmi i shkaktuar shkon në rreth 2 milionë lekë të reja. Specialistët e repartit të zjarrfikëseve dhe shpëtimit, si dhe policia, ende nuk kanë dhënë një version zyrtar për shkaqet e rënies së zjarrit. Paraprakisht mendohet se shkak i rënies së zjarrit është luhatja e tensionit të energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›