Iu ngacmonte vajzën, pas vrasjes babë e bir mbeten në burg
Në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e djeshme, dy autorët e vrasjes, Riza dhe Nail Idrizi, nuk kanë pranuar të flasin, por kanë pranuar krimin e tyre. Ndërsa është zbuluar se një nga motivet e vrasjes ka qenë pasi viktima kishte marrëdhënie intime me vajzën dhe motrën e autorëve. Ata nuk e kanë pranuar këtë lidhje dhe prandaj kanë qëlluar mbi të.
Seanca
Arrest me burg ka qenë masa e sigurisë, e akorduar nga Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër, për babë e bir, Riza dhe Naim Idrizi të cilët dyshohen si autorët e ekzekutimit të 42-vjeçarit, Agim Shullani, në fshatin e Oblikës në rrethin e Shkodrës. Gjykatësja Irida Kacerja i ka dëgjuar në séanca të ndara pretendimet e dy të dyshuarve për vrasjen e 42-vjeçarit Shullani. Autorët e krimit nuk kanë preferuar të flasin në lidhje me krimin e kryer, por ka qenë avokati mbrojtës, ai i cili i ka argumentuar trupit gjykues që arrestimi i Riza dhe Naim Idrizit ka qenë i ligjshëm dhe caktimin e masës së sigurisë ia ka lënë në gjykimin e gjykatës. Ndërkohë organi i akuzës ka kërkuar nga togat e zeza arrestin në burg, kërkesë e cila është miratuar nga gjykata. Në fund, gjykata ka vlerësuar të drejtë dyshimet e prokurorisë mbi autorësinë e Riza dhe Naim Idrizit, për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim të 42-vjeçarit, Agim Shullani, duke caktuar masën më shtrënguese të sigurisë për ta, atë të arrestit me burg pa afat.
Motivi
Gjatë seancës gjyqësore janë bërë të ditur edhe fakte të reja mbi ekzekutimin e 42-vjeçarit, ku sipas prokurores së çështjes, autorët e krimit dhe viktima kanë pasur lidhje familjare njëri me tjetrin, duke qenë kushërinj të parë, ndërkohë që prej disa kohësh në mes tyre ka pasur konflikte, pasi Riza Idrizi ka akuzuar viktimën, 42- vjeçarin Agim Shullani, që ka ngacmuar vajzën e tij e cila ka qenë e martuar në një fshat tjetër. Për këtë arsye, vajza e Rizait ishte ndarë disa herë nga i shoqi, i cili dyshonte se ngacmohej nga i afërmi i saj, viktima Agim Shullani, dhe për këtë gjë kishte njoftuar vjehrrin e tij. Pasi e kanë lajmëruar disa herë 42- vjeçarin Agim Shullani, mesa duket konflikti nuk ka marrë zgjidhje, deri në momentin që babë e bir kanë marrë vendimin fatal ndaj të afërmit të tyre, ekzekutimin e 42-vjeçarit Shullani, pranë shtëpisë së tyre. Sipas policisë, Agim Shallani është qëlluar për vdekje me pistoletë me dy plumba, një në gjoks dhe një në kokë. Nga hetimet paraprake mësohet se viktima ka qenë duke u kthyer i vetëm në banesë, në momentet kur autorët i janë afruar dhe e kanë qëlluar me pistoletë. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se ai u gjet i pa jetë 100 metra larg banesës së tij. Pas marrjes së dëshmive të ndryshme, disa orë pas vrasjes u bë i mundur arrestimi i dy personave si të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje. Ata janë babë e bir, Riza Idrizi 56 vjeç dhe Naim Idrizi 22 vjeç, po nga fshati Oblikë.