E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët shtyjnë grevën, do vijnë në Tiranë

BULQIZË-Minatorët e Bulqizës e kanë shtyrë grevën e urisë për një moment tjetër. Dje komisioni i protestës dhe këshilli sindikal i minatorëve kanë rënë dakord të presin deri ditën e premte një përgjigje nga kompania Albanian Krom. Kol Nikollaj, Taf Koleci, Dilaver Përkoxha e Luan Nika, kanë rënë në një mendje me minatorët protestues, se duhet pritur një përgjigje zyrtare nga firma e huaj, pastaj duhet vendosur për hapat e mëtejshëm. Sipas Dilaver Përkoxhës, kreut të këshillit sindikal të minatorëve, ditën e hënë, më 18 korrik, 300 minatorë të Bulqizës do të udhëtojnë drejt Tiranës për të protestuar paqësisht para Ministrisë së Ekonomisë, Kryeministrisë, Kuvendit të Shqipërisë, Televizionit Shqiptar dhe Kompanisë austriake ACR. “Ramë dakord ta shtyjmë grevën e urisë për disa ditë, pasi është tepër e rëndë që minatorët të hyjnë në grevë urie në temperatura të tilla. Është mbledhur Bordi i ACR në Austri dhe deri të premten presim një përgjigje zyrtare. Në qoftë se kërkesat tona nuk do të hyjnë në rrugën e zgjidhjes, do të protestojmë në rrugët e kryeqytetit, për t’u ndalur para zyrave të ACR-së në Tiranë. Nuk ikim prej aty deri në plotësimin e kërkesave tona ekonomike” - deklaroi Përkoxha, për gazetën “Mapo”. Thuhet se me minatorët e Bulqizës do të bashkohen edhe metalurgët e Burrelit dhe Elbasanit, si dhe banorë të kryeqytetit apo rretheve nga vijnë minatorët dhe metalurgët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›