“Fiera del Levante” vjen në edicionin e tetë në Shqipëri nga 20-23 maj
Edicioni i tetë i panairit “Fiera del Levante” do të zhvillohet nga data 20-23 maj në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Zyra e shtypit e Fiera del Levante në Tiranë bëri të ditur se në këtë panair, që do të organizohet në bashkëpunim me Rajonin e Puglia-s, do të ekspozohen sektorë të ndryshëm si energjia, infrastruktura, produktet bankare, kultura, mjedisi, shërbimet për qytetarin dhe deri te sipërmarrja, bujqësia dhe produktet agroushqimore, ndërtimi, mobiliet dhe aksesorët për shtëpinë, fashioni dhe mallra konsumi. Ekspozita do të ketë në qendër të saj fusha që prekin të gjithë sektorët parësorë të ekonomisë së Shqipërisë dhe të vendeve të tjera ndërkufitare si Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Ndërkohë që nuk do të mungojnë workshope dhe takime “business to business”, ku do të ftohen përfaqësues italianë dhe puljezë të institucioneve, të sektorit të sipërmarrjeve, të atij ekonomik, social-kulturor dhe kreditimit, që do të ballafaqohen me homologët e tyre shqiptarë. Në këtë panair jo rastësisht është përzgjedhur si nëntitull i manifestimit “Epërsia cilësore italiane për zhvillimin e Ballkanit”. Në këtë hapësirë Shqipëria është pikërisht vendi me më shumë lidhje historike me Italinë, ku më shumë se kudo tjetër është e përhapur gjuha italiane dhe në të cilin marrëdhëniet e hershme historike me Italinë përforcohen nga viti në vit. Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë ku investimet mesatare të sipërmarrjeve italiane kapin një vlerë fillestare të deklaruar rreth 500.000 euro, duke punësuar mesatarisht rreth 100 nëpunës dhe specialistë. Përqendrimi më i madh i tyre (rreth 75 për qind) regjistrohet ndërmjet Tiranës, Krujës, Durrësit dhe Kavajës. Vlora dhe Jugu i vendit përfaqësojnë 15 për qind të preferencave të investitorëve italianë, e cila zbret përfundimisht në 5 për qind në rrethet veriore të Shqipërisë (Shkodër, Pukë, Kukës etj.). Kontaktet ndërmjet dy vendeve janë favorizuar nga një rritje ekonomike e Shqipërisë, e cila në 2007-n ka arritur rreth 5 për qind nga rritja e shkëmbimeve tregtare.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 është regjistruar një rritje e shitjeve e barabartë kjo me 4.4 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rritja e tyre, së bashku me rritjen e regjistruar nga sektori i shërbimeve dhe atij prodhues, ka kompensuar mangësitë e shkaktuara nga kriza energjetike. Aktiviteti tregtar ka vazhduar të regjistrojë pjesën më të madhe të shitjeve, duke shënuar një rritje domethënëse. Me këtë manifestim “Fiera del Levante” konfirmon edhe një herë vëmendjen e saj drejt një hapësire ballkanike, me një potencial prej 200 milionë konsumatorësh. Ajo është një ngjarje strategjike nga pikëpamja tregtare, por vlen të vërehet edhe si një mundësi për zhvillimin lokal.
24 Prill 2008