Shqipëria dhe Bullgaria kthejnë vëmendjen nga AMBO dhe Korridori 8
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, priti ditën e djeshme, në një vizitë zyrtare, homologun e tij bullgar, Ivailo Kalfin, ku në qendër të bisedimeve u vendos rritja e bashkëpunimit mes palëve. Ministrat kanë folur edhe në lidhje me dy projektet e mëdha të Ballkanit, nga ku përfitojnë të dyja vendet, si naftësjellësi AMBO dhe Korridori 8. “Marrëdhëniet dypalëshe ishin temë e rëndësishme diskutimi mes dy palëve tona. Bashkë me ministrin Kalfin vlerësuam nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe zhvillimeve pozitive në bashkëpunimin dypalësh, të konkretizuar nga kontakte të shumta në nivel të lartë politik dhe shprehem angazhimin për të intensifikuar më tej dialogun politik, bashkëpunimin në të gjitha fushat, dhe në veçanti për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike. Në këtë kuadër ndajmë të njëjtin mendim për mbështetjen dhe rëndësinë që do të vazhdohet t’i kushtohet realizimit të projekteve AMBO dhe Korridori VIII, sigurimit të fondeve të nevojshme, me besimin se projekte të tilla do të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në rajon”, - tha Basha.
Rama në fshatin Gur i Zi: “Varfëria po mbyt vendin”
Pasi ka dialoguar me ekstremin më jugor të vendit, Konispolin, dje kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka zhvendosur turin e tij “Dialog me Shqipërinë” në zonat veriore të vendit, dhe konkretisht në fshatin Gur i Zi. Në këto zona, ku varfëria është edhe më e ndjeshme, kryetari i PS-së, Rama, ka nënvizuar kontrastin tejet të dukshëm të sukseseve që flasin qeveritarët dhe një varfërie gjithnjë në rritje drejt kufijve ekstremë në këto zona dhe në të gjithë vendin. “Ju e shikoni se çfarë kontrasti të madh ka mes bilanceve optimiste të kryeministrit të Shqipërisë, për përparimet e mëdha të ekonomisë, të arsimit, të shëndetësisë, të vendit tonë dhe jetës reale, ekonomisë reale, çmimeve që rriten përditë e më shumë, dhe fuqisë blerëse që bie çdo ditë e më shumë, shkollave që janë gjithmonë e më pak të gatshme për të përballuar etjen për dije të fëmijëve tanë, spitaleve nuk mund të garantojnë një trajtim minimal për të moshuarit tanë. E pra, ky është kontrasti mes jetës reale dhe politikës së vjetër të interesave të politikanëve”, - deklaroi Rama.
Braçe: “Berisha po krijon Republikën e Varfërisë”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, shprehu shqetësimin e Partisë Socialiste për rritjen e nivelit të varfërisë në vend. Për këtë Braçe u referua deklaratës së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për rritjen e inflacionit. “Guvernatori i BSH-së paralajmëroi një valë të re inflacioni në muajt që vijnë. Natyrisht që në vende si Shqipëria, kjo përkthehet si një valë e re që thellon varfërinë.
Të varfrit po bëhen edhe më të varfër, ndërkohë që ata që deri sot jetonin pak mbi nivelin e varfërisë tani, apo shpejt po bëhen të varfër. Guvernatori i BSH-së paralajmëroi një valë të re inflacioni në muajt që vijnë”. Braçe tha se kryeministri Berisha, duke nxitur korrupsionin, ka krijuar “Republikën e Varfërisë” në vend. “Sot, Sali Berisha, ministrat e tij, pra ati dhe bijtë e Republikës së Korrupsionit, duhet të kuptojnë se me keqqeverisjen e tyre kanë krijuar në këtë vend paralel me Republikën e tyre, Republikën e Varfërisë”, - deklaroi nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Berisha: ”Listën e deputetëve do ta vendosin kryetari dhe forumet e partisë”
Kryeministri Sali Berisha i ka kushtuar përsëri vëmendje ndryshimeve kushtetuese, të cilat u miratuan me shumicë votash në Kuvend. Kësaj here kryeministri Berisha u është përgjigjur kritikëve të sistemit, të cilët shprehen se kryetarët e partive të mëdha do të vendosin për të gjitha, edhe për deputetët e ardhshëm në Kuvend. Kryeministri është shprehur se në çdo vend të botës kryetari i partisë dhe forumet e saj vendosin për emrat që do të kandidojnë në elektorat. “Janë të mjerë ata që shprehen se tani mandatet apo emrat e deputetëve i ka në dorë kryetari i partisë. Por asnjë deputet nuk ka hyrë në Parlament pa dëshirën e kryetarit, me përjashtim të ndonjë deputeti të pavarur. Në çdo vend janë kryetari dhe forumet e partisë që përcaktojnë listën e deputetëve. Tani ajo do të jetë më përfaqësuese, do të llogariten të gjitha votat, të atyre që votojnë blu, rozë apo sipas preferencave të tjera partiake”, - tha Berisha. Më tej lideri i maxhorancës ka komentuar edhe sistemin zgjedhor, që sipas tij, do të rrisë përfaqësimin politik në Kuvend. Lideri i maxhorancës, gjatë mbledhjes së qeverisë, ka folur edhe për ndryshime e tjera në Kushtetutë. Berisha tha se ndryshimet që miratoi Kuvendi do t’i shërbejnë konsolidimit të demokracisë në Shqipëri.
24 Prill 2008