E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedura të reja kontrolli kundër trafikut të makinave të vjedhura

Miratohet Plani Kombëtar i Veprimit, ashpërsohen dënimet. Masa të detajuara që nga identifikimi i dokumentacionit, deri te kontrolli në kufi

Shaban Sulçe
Duket se biznesit të paligjshëm të trafikut të makinave po i vjen fundi. Për trafikantët milionerë, të cilët kanë sjellë në Shqipëri qindra makina luksoze, priten ditë të vështira, por edhe dënime të rënda në rast të kapjes së tyre. Tashmë ka hyrë në fuqi Plani Kombëtar i Veprimit për luftën kundër trafikimit të mjeteve motorike, i miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ky plan synon të ndalojë dhe të godasë rrjetet e trafikut të shitjes së makinave të vjedhura në Shqipëri, duke fuqizuar kontrollin kufitar, kontrollin doganor dhe kontrollin e dokumentacionit të makinave. Në analizën hyrëse të këtij Plani Kombëtar Veprimi thuhet se fenomeni i trafikut të makinave nuk është problem vetëm i Shqipërisë, por një problem ndërkombëtar me përmasa shqetësuese në të gjithë botën. Vendi ynë për makinat e vjedhura është një vend me destinacion tregu. Është provuar se tashmë ekzistojnë organizata ndërkombëtare kriminale të trafikut të makinave të vjedhura dhe se trafikantët shqiptarë në këtë bashkëpunim kryesisht kanë rolin e vjedhjes në vendet e origjinës së makinave të shtrenjta, transportimit dhe të gjetjes së tregut të shitjes në vendin tonë. Në Planin Kombëtar të Veprimit, përveç përparësive, qeveria ka renditur si disavantazh mungesën e një rrjeti kompjuterik kombëtar me të gjitha institucionet kombëtare që merren me trajtimin e makinave. Ajo ka vendosur disa objektiva të rëndësishëm, që synojnë arritjen e suksesit për të goditur trafikun e makinave në Shqipëri.
Identifikimi
Objektivi i parë është identifikimi i makinave të trafikuara nëpërmjet përmirësimit të procedurave të gjetjes së makinave të vjedhura dhe bashkëpunimit me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Për identifikimin e makinave të trafikuara është parashikuar krijimi i një grupi ndërministror të punës për monitorimin e luftës kundër trafikimit të makinave të vjedhura, me pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të çdo institucioni përgjegjës, përfshirë këtu edhe një përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme. Për realizimin e këtij objektivi do t’i propozohet Ministrisë së Drejtësisë që të ofrojë informacion statistikor “Për trafikimin e mjeteve motorike”, ndërkohë që plani parashikon organizimin e takimeve periodike për raportimin e të dhënave, takime të cilat synojnë të rrisin shkallën e bashkëpunimit dhe koordinimit nëpërmjet institucioneve kombëtare dhe efektivitetin e luftës kundër këtij fenomeni.
Kontrolli
Fuqizimi i kontrollit doganor është një tjetër objektiv i rëndësishëm i Planit Kombëtar të Veprimit kundër trafikut të makinave. Kjo do të realizohet duke zbatuar rregullat strikte të procedurave të import-eksportit të makinave, gjatë kontrollit të kompanive që importojnë makina dhe pjesë këmbimi si dhe ndaj individëve që sjellin makina nga jashtë. Gjithashtu synohet zbatimi i kontrolleve strikte për verifikimin e identiteteve të personave që deklarojnë makinat gjatë procedurave doganore për të identifikuar personat me identitet të rremë. Kjo do të ndikonte në identifikimin e personave të lidhur me rrjetin e trafikimit të makinave të vjedhura. Plani synon hartimin e një marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të përcaktohen format dhe mënyrat e shkëmbimit të shpejtë të informacionit, gjë që do të ndikojë në verifikimin e trafikantëve, falsifikatorëve të dokumenteve dhe makinave të vjedhura. Plani Kombëtar parashikon gjithashtu organizimin dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta të strukturave doganore dhe strukturave të Policisë së Shtetit për kapjen e makinave të vjedhura dhe të autorëve të tyre që hyjnë në kufi jashtë rregullave doganore dhe kufitare.

Regjistrimi

Përmirësimi i procedurave të regjistrimit të makinave është një tjetër objektiv i Planit Kombëtar. Në të kërkohet përfundimi i informatizimit të të gjitha shërbimeve për regjistrimin e makinave që kryhen nga Drejtoritë e Transportit Rrugor. Gjithashtu kërkohet forcimi dhe zbatimi rigoroz i rregullave dhe procedurave të regjistrimit të automjeteve, me qëllim që të parandalohen rastet e regjistrimit të automjeteve dhe evitimin e pronarëve të rinj. Detyrë tjetër është krijimi i një lidhjeje online për shkëmbim informacioni midis Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu synohet ndërtimi i një faqeje uebi, mbi data-basen ekzistuese të Drejtorisë Rajonale të Tiranës, i cili do të mundësojë regjistrimin e makinave, të cilat denoncohen të vjedhura. Kontroll të veçantë do të kenë edhe identitetet e personave që do të deklarojnë makinat për regjistrimin e tyre për herë të parë, apo për regjistrimin për ndryshimet e pësuara.

Operacionet
Plani parashikon organizimin e operacioneve të përbashkëta për kontrollin e rregullave dhe procedurave ligjore që duhet të zbatojnë subjektet juridike apo fizike, të cilët tregojnë se shesin makina në vendin tonë. Kjo do të eliminonte tregun informal të makinave dhe identifikimin e personave të lidhur me trafikantët e makinave. Do të organizohen dhe kryhen operacione të përbashkëta për kontrollin e automjeteve në qarkullim, për rritjen e sigurisë publike dhe identifikimin e makinave me targa, dokumentacion dhe siguracion të falsifikuar.

Ndjekjet penale
Plani Kombëtar për Veprim kundër trafikut të mjeteve motorike synon rritjen e bashkëpunimit të dikastereve ministrore me Prokurorinë për thellimin e hetimeve të proceseve ligjore të filluara për “Trafikim të mjeteve motorike” dhe veprat penale që lidhen me to. Plani synon nisjen e sa më shumë çështjeve penale me autorë të arrestuar në raport me çështjet penale me autorë në gjendje të lirë, nëpërmjet mbledhjes së të dhënave për autorët e këtyre veprave penale.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›