E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Protesta popullore kundër puçit kushtetues të Ramës dhe Berishës”

LSI starton aksionin e gjerë politik kundër ndryshimit të Kushtetutës. Meta: “Protestat do të startojnë në sheshin ‘Skënderbej’, më pas në të gjithë Shqipërinë”

Shaban Sulçe
Pas votës kundër në Parlament, denoncimit dhe dënimit publik të aktit të ndryshimit të Kushtetutës, Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëron zhvillimin e protestave popullore. Protestat e LSI-së, të cilat do të startojnë fillimisht në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë dhe do të kenë si objekt kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat u miratuan në Parlament ditën e hënë. Paralajmërimi për protestat është bërë nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka qenë dje i pranishëm në qytetin e Elbasanit, në një takim të Komisionit Parlamentar të Integrimit, në një takim ku ndodhej edhe ambasadori i OSBE-së, Bossh.
“Protestat mbarëpopullore do të jenë kundër dhunimit të Kushtetutës, të ideuara nga Sali-Rama, pasi 115 vota nuk mund të dhunojnë vullnetin e 2 milionë shqiptarëve. Protestat do të jenë kundër regjimit berishian dhe puçit Berisha-Rama”, - deklaroi Meta.
Ndërkaq mësohet se LSI-ja ka nisur takimet me ekspertë të Kushtetutës për rrugët ligjore kundër ndryshimit të Kushtetutës. Gjatë këtyre takimeve është hedhur ideja dhe po diskutohet edhe për një referendum të mundshëm.
Reagimi i PS-së
Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj paralajmërimit të LSI-së për zhvillimin e protestave popullore kundër ndryshimeve kushtetuese. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, tha: “LSI kërkon të zhvillojë protesta vetëm për karrigen e Ilir Metës. Lufta që po bën Meta është vetëm për karrigen e tij, jo për interesat e shqiptarëve. Mbështetja për Metën është një oksigjen për Berishën, ndërkohë që vetë ai ka mbetur peng i mllefit anti-PSSH”.
PAD dhe PDS
Ndërkohë, dy partitë e tjera të së majtës, Aleanca Demokratike dhe Partia Demokracia Sociale, kanë dhënë mbështetjen e tyre për nismën e ndërmarrë nga LSI-ja për të protestuar kundër ndryshimeve të Kushtetutës. Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, deklaroi dje nga qyteti i Vlorës mbështetjen dhe pjesëmarrjen e PAD në këto protesta. “Protestat mbarëpopullore do të jenë kundër dhunuesve të Kushtetutës. Ceka tha se Berisha duhet të japë dorëheqje për Gërdecin dhe se Rama nuk mund të shpëtojë dot Saliun”, - tha Ceka.
Ndërkaq, sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari, i cilësoi kryeministrin Berisha dhe Partinë Socialiste si atentatorë të Kushtetutës. “PDS denoncon mënyrën jotransparente të ndryshimit të Kushtetutës dhe përpjekjen mjerane të kryeministrit Berisha për të fshehur pas gjoja “reformave te mëdha”, ato që në të vërtetë janë “dështimet e mëdha” të qeverisjes së PD-së. Berisha e trajtoi Kushtetutën me demagogji si Gërdecin, duke u përpjekur të mbyllë një plagë të pashëruar. Viktimat tragjike të një krimi shtetëror nuk duhet të harrohen vetëm pse lidershipët e PD-së dhe PS-së i thanë po një forme të re republike brenda një jave”, - u shpreh Duçkallari.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›