E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, tatimoret marrin kompetenca hetimi



Ervin Koçi

Projektligji “Për procedurat tatimore” ka shkaktuar dje debate të forta mes komisionarëve të opozitës dhe maxhorancës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku po shqyrtohet nen për nen. Shkak është bërë një nen i draftit, që parashikon hetim tatimor nga inspektorët te bizneset, që dyshohen se kryejnë evazion fiskal apo krim ekonomik. Deputetët e opozitës kanë pretenduar se hetimi nuk është kompetencë e tatimorëve dhe do të vështirësojë akoma më shumë marrëdhënien e kësaj administrate me sipërmarrjen private. “Atmosfera e tatimeve me biznesin është bërë shumë e rëndë dhe funksioni i hetimit tatimor e vështirëson akoma më shumë. Ka një Polici Gjyqësore që mund t’i kryejë këto hetime”, - ka deklaruar deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi. Ekspertët e Ministrisë së Financave që mbrojnë në komision draftin, kanë shpjeguar se ky model zbatohet në disa vende të zhvilluara, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tyre, projektligji synon përmirësime në administrimin e detyrimeve tatimore, si dhe rregullon parimet e organizimit dhe të funksionimit të administratës tatimore. Projektligji u iniciua nisur nga nevoja për të ndryshuar Ligjin "Për procedurat tatimore", i bërë rreth 10 vite më parë dhe që nuk reflekton ndryshimet e pësuara gjatë kësaj periudhe.

Hetimi tatimor

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, me shumicë votash, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë e ka lënë në fuqi variantin e qeverisë për hetimin tatimor. Deputetët e maxhorancës kanë miratuar edhe një tjetër nen shumë të kundërshtuar nga komuniteti i biznesit, strukturën e apelimit. Varianti i qeverisë është që subjektet private të ankohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për gjobat e vendosura nga tatimorët, ndërkohë që biznesi kishte kërkuar ngritjen e Gjykatës Administrative. Kjo si institucion i pavarur, ose në të kundërt, lënien në fuqi të sistemit të vjetër, ku bizneset përveçse te tatimet, ankoheshin tek një komision që funksiononte në Ministrinë e Financave, në përbërje të së cilit kishte edhe përfaqësues të sipërmarrjes. Ligji i ri parashikon shkrirjen e kësaj strukture, duke i hapur rrugë arbitraritetit të tatimorëve, ashtu siç pretendon edhe biznesi. Ai parashikon edhe që tatimpaguesi mund të ankimojë kundër çdo njoftimi, vlerësimi, çdo vendimi që ndikon në detyrimin e tij tatimor, kërkesë për rimbursim ose lehtësim tatimor, ose çdo akti ekzekutiv të posaçëm tatimor në lidhje me tatimpaguesin. Sipas projektligjit tatimpaguesi e dorëzon ankimin në drejtorinë e apelimit tatimor brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur vlerësimi, ose vendimi i administratës tatimore, është marrë ose konsiderohet të jetë marrë nga tatimpaguesi. Projektligji parashikon që tatimpaguesi, i cili kërkon të ankimojë duhet që bashkë me ankesën të paguajë shumën e plotë të detyrimit tatimor të përcaktuar në njoftim-vlerësimin e administratës tatimore, pasi edhe ankimi merret në shqyrtim, vetëm kur tatimpaguesi ka paguar detyrimin tatimor që është subjekt i ankimit.

Vendimi i qeverisë

Sipas përfaqësueses së Ministrisë së Financave, Lindita Rusmajli, në projektligjin e propozuar rregullohen strukturat dhe funksionet e njësive të hetimit tatimor. Rusmajli u shpreh se në projektligjin e ri, strukturat e hetimit tatimor janë njësi të specializuara të hetimit dhe zbatimit në administratën tatimore qendrore. Ato kanë si funksion parësor mbledhjen e informacionit tatimor, hetimin tatimor dhe ndjekjen dhe zbatimin e masave shtrënguese. Sipas Rusmajlit, “punonjësit e njësive të hetimit tatimor gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore në përputhje me Kodin e Procedurave Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionim e Policisë Gjyqësore”. Ndërkohë që një tjetër ndryshim i parashikuar në këtë projektligj është edhe ai mbi të drejtën e subjektit për ankimim administrativ tatimor. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Rusmajli, u shpreh se akti administrativ i lëshuar nga administrata tatimore dhe për të cilin nuk është ankimuar në rrugë administrative, nuk mund të ankimohet në rrugë gjyqësore. Rusmajli tha se përpara se të depozitojë kërkesë-padinë për shqyrtimin gjyqësor, tatimpaguesi duhet të paguajë 15 për qind të vlerës së gjobave.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›