Pikat kufitare, sita e parë për hyrjen e makinave
Një nga objektivat kryesorë të Planit Kombëtar është i lidhur me fuqizimin e kontrollit në hyrje-dalje të pikave të kalimit kufitar dhe gjetjes së metodave efikase për evidentimin e trafikantëve. Kjo do të realizohet me identifikimin e personave transportues të makinave të vjedhura, të cilët hyjnë në kufi me makina dhe dalin pa makina. Identifikimi i makinave të vjedhura do të bëhet nëpërmjet kontrollit selektiv të makinave të reja të dyshuara. Duke fuqizuar kontrollin synohet gjithashtu kapja në flagrancë e trafikantëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Plani Kombëtar synon përdorimin e metodave dhe formave bashkëkohore për kontrollin e plotë të kufirit shtetëror nëpërmjet kontrollit edhe të vendeve në kufirin jeshil, që trafikantët përdorin për transportimin e makinave të vjedhura. Duke monitoruar kufirin në këtë mënyrë, synohet kufizimi i hapësirës për trafikantët për të transportuar, si dhe do të synojë në eliminimin e hyrjes së makinave të vjedhura pa u regjistruar. Lidhja me sistemin TIMS e të gjitha pikave kufitare si dhe përdorimi i sistemit ASF2 të Interpolit është një tjetër pikë e rëndësishme e këtij objektivi. Ai synon që të mundësojë shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe identifikimin e makinave të vjedhura të trafikantëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Personeli kufitar do të ketë më shumë mundësi që të evidentojë makinat e vjedhura, pas pajisjes së pikave të kontrollit kufitar me mjete teknike të posaçme për leximin automatik të targave, pajisje me komplete çelësash për hapje makinash etj. Gjithashtu synohet përmirësimi i sistemit të regjistrimit të makinave, duke shtuar në këtë sistem më shumë të dhëna si për shembull regjistrimi i numrit të shasisë. Kjo do të mundësojë kryerjen e verifikimeve për identifikimin e makinave të vjedhura.
24 Prill 2008