Rritja e inflacionit, në rrezik shqiptarët që kanë marrë kredi
Rritja e nivelit të inflacionit po e vështirëson shlyerjen e kredive nga klientët e bankave, veçanërisht për ata që kanë marrë hua për shtëpi. Shtrenjtimi i mallrave të konsumit ka tkurrur së tepërmi buxhetet familjare të shqiptarëve. Në këto kushte, qytetarët që kanë marrë kredi, kryesisht për shtëpi, duhet të kursejnë akoma më shumë për të paguar këstet mujore. Por ekspertët e bankave deklarojnë se kjo dukuri ende nuk është shqetësuese, pasi kreditë u janë dhënë klientëve që kanë mundësi financiare për të përballuar interesat. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Elvin Meka, shpjegon se presionet janë rritur për shkak të inflacionit, por ende nuk bëhet fjalë për alarm. Sipas tij, bankat i kanë përzgjedhur klientët e tyre, të cilët janë kryesisht nga shtresa e mesme dhe kanë aftësi paguese, pavarësisht rritjes së inflacionit. Sipas Mekës, një tjetër element që luan në favor të bankave është edhe efekti psikologjik. Kjo pasi për shkak të problemit të strehimit, qytetarët që kanë marrë kredi për shtëpi, kanë pagesën e kësteve më parësore edhe se ushqimi. Por pavarësisht përzgjedhjes që bankat u bëjnë klientëve, këtë vit është vërejtur një rritje e kredive që nuk janë kthyer, ose e “kredive të këqija”. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në fund të vitit 2007, huat e pakthyera zinin 3.4 për qind të totalit të kredive që u dhanë nga sistemi bankar, ndërkohë që në shkurt të këtij viti, kjo sasi arriti në 3.8 për qind.
Gjermania “KfW”, konsulencë për ndërtimin e HEC-eve vendore
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me Bankën Gjermane KfW dhe kompaninë gjermane "Decon", zhvilluan dje një seminar me specialistë të sektorit të energjisë elektrike rreth promovimit të hidrocentraleve të vegjël. Qëllimi i seminarit ishte sqarimi i kuadrit të plotë ligjor dhe teknik, që duhet të shoqërojë promovimin e energjive të rinovueshme përmes HEC-eve lokale, për të cilat Banka KfW ka një program konkret financimi për to. Ekspertët e bankës vlerësuan si moment të përshtatshëm mbështetjen për këto HEC-e, pas ndërmarrjes së reformës ligjore të qeverisë në sektorin e koncesioneve. Momenti për konsulencën teknike për specialistët e sektorit të energjisë, lidhet dhe me faktin se Banka gjermane KfË ka hapur fondin me vlerë 9 milionë euro, për nxitjen e zhvillimit të HEC-eve vendore, në mbështetje të firmave private, të cilat kërkojnë kredi nga sistemi bankar. Ky financim mbështetet nga Programi i Promovimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficencës së Energjisë. Përmes tij do të mbështeten kërkesat për kredi si kolateral nga bizneset e hidrocentraleve të vogla në vendin tonë. Programi mbështet promovimin dhe nxitjen e HEC-eve lokale, duke mbuluar deri në 50 për qind riskun e kolateralit për bankat shqiptare, në rastet kur këto kreditojnë bizneset për rehabilitimin dhe ndërtimin e HEC-eve, krahas asistencës teknike deri në përfundim të fazave të projekteve. Fondi me vlerë 9 milionë euro është i ndarë në dy pjesë, ku 3,5 milionë euro do të ndihmojnë me financim bizneset private të HEC-eve lokale, që do të jepen përmes sistemit bankar, ndërsa pjesa tjetër e fondit, do të shërbejë si fond garancie për riskun në këto banka. Banka KfW do të afrojë asistencë teknike në zgjedhjen e koncept-idesë, përgatitjen e dokumentacionit për të marrë kredinë në banka, si dhe në të gjitha fazat e realizimit të projekteve për bizneset e HEC-eve.
BSH-ja hedh në treg 12.9 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 3, 6 dhe 12-mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 12.9 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor nga 23 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 21 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 6,850,640,000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6,150,480,000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.21 për qind, yield-i minimal i pranuar është 7.85 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.07 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.13 për qind. Këto bono maturohen më 16.04.2009. Për bonot me maturim gjashtëmujor u pranuan të 6 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe u shit e gjithë vlera e kërkuar prej 4,249,520,000 lekësh. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 7.53 për qind, yield-i minimal është 7.38 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.44 për qind, dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen në 16.10.2008.
Për bonot me maturim 3-mujor, u shit e gjithë vlera e kërkuar në shumën 2,500,000,000 lekë, ndërkohë që u pranuan të 5 kërkesat e paraqitura. Këto bono do të maturohen në 03.07.2008. Yield-i maksimal i pranuar është 6.30 për qind , yield-i minimal i pranuar është 6.27 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 6.29 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 6.28 për qind.
FMN-ja më 30 prill sjell misionin e ri në Shqipëri
Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), do të vizitojë Shqipërinë nga data 30 Prill-13 Maj 2008, gjatë të cilit do të rishikojë marrëveshjen 3-vjeçare PGRF/EFF “Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike”, (PGRF) dhe marrëveshjen e “Fondit të Përgjithshëm” (EFF), si dhe do të ndalet në diskutimet për “Artikullin 4”. Sipas burimeve zyrtare të këtij Fondi, diskutimet rreth këtij Artikulli, i cili organizohet në çdo vend anëtar të FMN-së, do të ndalen në një vështrim të thelluar të zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë, ndërsa do të jepen rekomandimet e nevojshme. Rishikimi i marrëveshjes 3-vjeçare PGRF/EFF, që do të bëhet për hartimin e memorandumit të politikave ekonomike dhe financiare, bëhet 2 herë në vit. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, miratoi në datën 28 Mars 2008, rishikimin e katërt të performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë, në kuadrin e marrëveshjes trevjeçare.
24 Prill 2008