Jani Zhonga: Filmi i animuar, pasion i kushtueshëm
Alma Mile
Jo më kot personazhi i tij është një çelës. Në 15 minuta film regjisori Jani Zhonga përpiqet të gjejë kuptimin e jetës. Të gjejë çelësin, që të çon tek ai përfundim, të cilin shekujt nuk e kanë zgjidhur. “Kuptimi i jetës”, kështu titullohet filmi që e ka kthyer në Tiranë regjisorin e filmit të animuar, i cili prej 20 vitesh jeton në Greqi. La pas një karrierë në Kinostudio për të ndërtuar një tjetër në Athinë. Në një intervistë regjisori Zhonga tregon se sa e vështirë është të ushtrosh animacionin edhe në Greqi. Sipas tij, filmi i animuar është një hobi i kushtueshëm. Megjithatë, ai vazhdon të krijojë. Së bashku me të bijën Irida, ndihmësregjisore e skenariste, ka të tjera projekte në mendje.
U bënë vite që jeni larguar nga Shqipëria, si ndiheni kur vini këtu?
U bënë 20 vjet tashmë. Duken shumë, por sa herë vij këtu, takoj njerëz dhe më duket se ato 20 vite zhduken, pasi vazhdojmë ato biseda që kemi lënë gjysmë që atëherë. Mes miqve të dikurshëm distanca kohore rrafshohet.
Paraqiteni në TIFF me filmin “Kuptimi i jetës”, si lindi ai?
Ky film është një bashkëpunim shqiptaro-grek dhe pa ndihmën e palës shqiptare do të ishte i pamundur realizimi i tij, po kështu dhe bashkëpunimi shumë i mirë me “Maku Production”. Gjithnjë kam dashur të realizoj një bashkëpunim të tillë, por kësaj here u bë i domosdoshëm edhe për arsye financiare. Por ishte edhe një mundësi e mirë për të punuar me miqtë e vjetër që punonim dikur në të njëjtën studio. Doli një bashkëpunim i suksesshëm, i cili është vlerësuar edhe me dy çmime në “Drama Film Festival”.
Latë pas një karrierë, sa të vështirë e patët ta rindërtonit në Greqi?
Kur merr një vendim për të ikur nuk mendon gjatë dhe të duket se edhe andej do të vazhdojë e njëjta gjë. Nuk mendon çfarë lë, por shpreson për diçka më të mirë. Por do ta quaja veten me fat, pasi që në fillim punova në një studio. Tregova punën që kisha bërë në Kinostudio dhe më pranuan menjëherë. Nga kjo studio pata mundësinë të krijoja shumë lidhje të rëndësishme. Ajo ishte trampolina për t’u hedhur në vende të tjera. Atëherë e vetmja fushë ku mund të punoje ishte reklama dhe nuk bëhej fjalë për filma. Edhe atje filmat me metrazh të shkurtër nuk ishin të përhapur. Në ’99-ën filluan të lëvroheshin, kështu që nuk bëhej fjalë për filma vizatimorë. Nuk kishte asnjë lloj financimi.
Cila është krijimtaria juaj në Greqi?
Ky është filmi i dytë. Një e kam realizuar në vitin 1996, me të cilin kam marrë pjesë edhe në TIFF, por ndërkohë kam realizuar sigla televizive, filma të shkurtër prej një minutë, filma humoristikë, që futeshin përpara emisioneve televizive. Kam bërë shumë të tillë. Ishte hera e parë që bëheshin reklama me plastelinë dhe kishte me vete edhe rrezikun. Njerëzit ishin skeptikë, por pas provës së parë gjithçka eci mbarë. Nëse do të ushtroja animacionin klasik ishte e pamundur që t’i konkurroja, pasi ata janë shumë të specializuar në këtë fushë. Por edhe atje filmat e animuar janë zhvilluar deri në vitet ’87-’88 dhe pastaj pati një rënie të dukshme, çka bëri që të gjithë animatorët të kalonin në sektorin e reklamës. Ishte i vetmi burim me të cilin mund të siguroje jetesën. Me filmin vizatimor as sot nuk është e mundur. Është një hobi, një pasion.
Një hobi që besoj se ju ha shumë kohë edhe para, apo jo?
Është hobi më i kushtueshëm. Filmi më ka ngrënë 5 muaj, kohë gjatë së cilës mund të kryesh xhirimet për 2 filma me metrazh të gjatë artistikë. Është i gjithi me xhirime reale. Dhe çdo lëvizje është marrë me aparat fotografik dhe jo me kamera. E veçanta e filmit është se ai ndërtohet në dy kohë. Është koha e lëvizjes së personazhit dhe koha tjetër, që nuk është reale, e ambientit, dekorit. Personazhet lëvizin normalisht, ndërsa ambienti më me shpejtësi. Ndien hijen e lëvizjes së diellit. Është si jeta e cila ecën me shpejtësi. Kështu u ideua filmi qysh në fillim dhe deri në fund isha në ankth nëse do të mund ta realizoja. U deshën dy vjet, plus kohën përgatitore dhe e gjitha për 15 minuta. Është një hobi shumë i shtrenjtë, vetëm për të çmendur.
E keni ndjekur zhvillimin e kinematografisë në Shqipëri, si ju duket?
Në Shqipëri nuk vuajmë për ide, por ende vazhdon të jetë i ulët niveli teknik, sidomos zëri. Ka mbetur 20 vjet mbrapa. Ka ndryshime për mirë këto 2-3 vitet e fundit. Ka përpjekje. Vijnë dhe realizojnë zërin në Greqi, por shumë gjëra vazhdojnë të jenë si më parë, nuk kanë bërë akoma atë shkëputjen me mënyrat e së kaluarës. Filmi i animuar çalon shumë nga ana teknike. Shoh se nuk ka një bashkëpunim të frytshëm mes regjisorëve të animacionit dhe postproduksionin. Ide ka shumë të mira, por nuk realizohen deri në fund. Ndoshta është edhe arsyeja që nuk kanë dalë shumë jashtë dhe të specializohen më tej.