E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Siguria jonë është në lojë në Afganistan dhe Pakistan

 

Presidenti Amerikan, Barak Obama ka mbajtur një fjalim të madh drejtuar kombit dhe forcave të armatosura të tij mbi strategjinë në Afganistan, duke konfirmuar edhe shtimin e trupave atje në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Ai e nisi fjalën me argumentimin e vendimit, pse SHBA vendosi të niste trupa në Afganistan. “Amerika, aleatët tanë dhe bota mbarë vepruan si një të vetëm për të shkatërruar rrjetin terrorist të Al Kaedës dhe për të mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët. Nën flamurin e këtij uniteti të brendshëm dhe legjitimitetit ndërkombëtar dhe vetëm pasi Talibanët refuzuan të dorëzonin Osama bin Ladenin, ne dërguam trupat tona në Afganistan”, tha Obama. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë 30 mijë trupa shtesë, të cilat do të fokusohen në luftën kundër talibanëve dhe Al Kaidës, si dhe do të rrisin ndihmën për Pakistanin. Ky kontingjent i ri do ta çojë në afro 100 mijë numrin e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Afganistan. Gjatë fjalimit në Akademinë Ushtarake në Uest Point, në Nju Jork, Obama para kadetëve tha se po vepron bazuar në interesat jetike amerikane. “Jam i bindur se siguria jonë është në lojë në Afganistan dhe në Pakistan”. “Kjo është qendra e ekstremizmit të dhunshëm të Al Kaidës. Prej andej jemi sulmuar më 11 shtator dhe po prej andej po organizohen sulme të tjera edhe tani që ne flasim”, tha Obama. Por Obama theksoi se trupat amerikane do të fillojnë të largohen nga Afganistani duke nisur nga korriku i vitit 2011. Megjithatë largimi i forcave amerikane do të lidhet me përparimin që do të shënojnë forcat afgane të sigurisë. “Ashtu si kemi vepruar në Irak, do t’i përmbushim detyrat e fazës tranzitore me përgjegjësi, duke marrë parasysh gjendjen në terren”, tha ai. Obama theksoi se lufta në Afganistan nuk është humbur, por shtoi se situata ka njohur kthim pas dhe mbeten një numër i konsiderueshëm sfidash. Presidenti amerikan shtoi se talibanët kanë fituar terren, kurse Al Kaida vazhdon të ketë zona të sigurta përgjatë kufirit me Pakistanin. Obama ritheksoi qëllimet amerikane në Afganistan: lufta kundër talibanëve, shkatërrimi i zonave të kontrolluara nga Al Kaida, mbrojtja e qendrave të banuara me civilë nga sulmet e ekstremistëve, si dhe aftësimi i forcave afgane, që ato të marrin në duart e tyre përgjegjësitë për vendin. Obama sqaroi se “Ne do të kërkojmë të vendosim partneritetin me Afganistanin bazuar në respektin reciprok”, tha Presidenti Amerikan. Ai përsëriti angazhimin amerikan për të ndihmuar Islamabadin si nga pikëpamja ushtarake edhe ajo ekonomike. Presidenti amerikan e bëri publike strategjinë për Afganistanin pas një rishikimi tremujor të situatës. Obama i hodhi poshtë qëndrimet e atyre që e kanë krahasuar Afganistanin si versionin e shekullit XXI të luftës në Vietnam duke kujtuar se lufta në Afganistan po bëhet nga 43 shtete së bashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›