E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria: Pavarësia, sipas të drejtës ndërkombëtare

 

Shqipëria paraqiti dje argumentet e saj mbi ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e vlerësuar atë plotësisht të ligjshme dhe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Vendi ynë që në fillim të procesit është angazhuar me një ekip të njohur ligjor vendas dhe ndërkombëtar, të drejtuar nga juristi gjerman, Profesori Jochen Froëein. Delegacioni shqiptar përbëhej nga z. Gazmend Barbullushi, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës; Prof. Jochen Frowein, Këshilltar Juridik-Folës; Prof. Terry D. Gill, Këshilltar Juridik-Folës; Z. Gentian Zyberi, Bashkë-Këshilltar; znj. Ledia Hysi, Drejtoreshë e së Drejtës Ndërkombëtare, MPJ; Z. Sami Shiba, Drejtor për Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, MPJ dhe Z. Genc Pecani, Ministër Fuqiplotë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës. Shqipëria ishte vendi i parë që doli në mbështetje të Kosovës. Ambasadori Barbullushi foli për suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe e krahasoi me suksesin e sotëm. Ndërsa Eksperti Johan Frowein ka theksuar se Kosovën deri më tani e kanë njohur 63 vende dhe këto “njohje nuk mund të kontestohen nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare”. Sipas tij, ajo që është e kontestueshme “është e drejta e Gjykatës Ndërkombëtare për të vendosur mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”. Argumentet e paraqitura në përgjithësi nga delegacioni shqiptar ishin se: Deklarata e Pavarësisë është miratuar nga përfaqësuesit legjitimë të zgjedhur në mënyrë demokratike, si shprehje e vullnetit të popullit të Kosovës; Rezoluta 1244 e KS të OKB qëllimisht e ka lënë të hapur mënyrën e përkufizimit të statusit përfundimtar të Kosovës; Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk është hedhur poshtë as nga Këshilli i Sigurimit, as nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, dhe as nga Asambleja e Përgjithshme; Populli i Kosovës është i njohur si i tillë në disa dokumente nga disa organizma, duke përfshirë këtu edhe OKB, dhe për rrjedhojë gëzon të drejtën për vetëvendosje sipas të drejtës ndërkombëtare; Deklarata e Pavarësisë nuk është as në tejkalim të kompetencave të përfaqësuesve të popullit të Kosovës dhe as në shkelje të normave detyruese të së drejtës ndërkombëtare; Për sa i përket parimit të mos-cenimit të integritetit territorial, Kosova, bazuar edhe në të drejtat që ka gëzuar si pjesë konstitutive e ish-RFJ, në bazë të Kushtetutës së 1974-ës, ka ushtruar të drejtën e saj për vetëvendosje; E drejta ndërkombëtare në vetvete nuk e rregullon procedurën e miratimit të aktit të shpalljes së pavarësisë së një populli, formën e tij, apo ligjshmërinë e tij, përveç mosnjohjes në rastin e ndërhyrjes nga jashtë nga një shtet tjetër dhe/ose kur një shpallje e tillë vjen në kundërshtim me norma detyruese të së drejtës ndërkombëtare apo me forcë të armatosur. Prandaj Shqipëria i ka kërkuar gjykatës të deklarojë se, deklarata e Pavarësisë e Kosovës e 17 shkurtit 2008 është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Përveç Shqipërisë, në Gjykatën e Hagës pro Pavarësisë së Kosovës dëshmuan edhe Gjermania dhe Arabia Saudite, të dyja vende që e kanë njohur Pavarësinë. Gjermania u prezantua nga Suzan Vasum Rainer, e cila ka folur për shkeljen dhe diskriminimin masiv në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›