E Diel, 1 Nëntor 2026

Fieri i pushtuar nga gërmadhat

 FIER/ MAJLINDA RAMABanesat e vjetra, pronë shtetërore, që shtrihen në qendër të qytetit përbëjnë një rrezik serioz për banorët e Fierit. Amortizimi i tejskajshëm i tyre, çdo ditë dhe më tepër po çon drejt rrënimit një pjesë të mirë të qendrës. Janë plot 520 objekte, një dhe dy-katëshe, që sot po përballen me degradimin total të mureve dhe mbulimit të tyre. Dikur ato kanë shërbyer si dyqane, magazina, madje njëra dhe fabrikë buke, por sot janë të boshatisura. Tjegullat dhe drurët e përdorur për çati janë shkatërruar fare, ndërsa një ndikim të madh në të kanë edhe kushtet atmosferike. Shirat e rënë kanë bërë që një pjesë e mureve të zhvishen prej suvasë, por së bashku me të edhe drurët kanë nisur të thyhen. Këto banesa janë në qendër të qytetit dhe në një zonë ku është i vendosur tregu industrial i mallrave me shumicë. Tregtarët tregojnë se u është dashur që shpeshherë të përfshihen nga paniku për shkak të rënies të materialeve të ndërtimit, sidomos në ditët me mot të keq. “Ka pasur ditë që jemi trembur. Një ditë kur ra shi, u shkëput një masë e madhe çatie dhe për pak sa nuk na zuri. U shmangëm, por na prishi dhe shkatërroi një pjesë të çadrës në treg, ndërsa disa veshje na i nxori jashtë përdorimit. Por si ky rast ka pasur shumë të tjerë, ku të rrezikuar kanë qenë blerësit, që në të shumtën e rasteve janë të shoqëruar nga fëmijë të vegjël. Kërkojmë të merren masa: ose t’i heqin, t’i rrëzojnë fare, ose t’i rikonstruktojnë”, ka deklaruar Marjana Xhafa, një prej tregtarëve. Por megjithëse problemi i ndërtesave të vjetra, të ndodhura në lagjen “Apollonia”, është diskutuar disa herë, asnjë institucion vendor nuk ka marrë masa konkrete. Të gjitha këto objekte rezultojnë të jenë në listën e pronave të paluajtshme të Bashkisë Fier. I takon kësaj të fundit që të vendosë tashmë për fatin e tyre, nëse do të shiten apo do të jepen me qira. Kjo mund të jetë edhe shpresa e vetme për fatin e këtyre ndërtesave. “E kemi thënë edhe shumë herë të tjera që ne presim të na kalojnë si prona në mënyrë ligjore, pasi sot ne njihemi në mënyrë verbale, si pronarë të këtyre ndërtesave. Më pas ne kemi mundësi të bëjmë ndryshime dhe sistemime. Kur t’i kalojnë në administrim bashkisë do të krijohet mundësia për kalim destinacioni të objektit, dhënie me qira, shitje dhe transaksione të kësaj natyre. Por përderisa ne nuk kemi të drejtë ligjore, nuk mund të investojmë në to”, u shpreh Et’hem Guma, përgjegjës i zyrës së pasurisë së paluajtshme në bashkinë Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›