Gjyqtari i Elbasanit padit prokurorinë
TIRANE – Ish-gjyqtari i Elbasanit Qani Hasa i pezulluar nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë padit në gjykatë hetimin e prokurorisë së Tiranës në adresë të tij me akuzën e korrupsionit. Ai ka kërkuar transferimin e dosjes në një prokurori tjetër nga ajo e kryeqytetit. Gjykata e Tiranës mësohet se ka hedhur në short padinë e gjyqtarit ndërsa pritet shqyrtimi i saj në ditët e ardhshme. Qani Hasa është akuzuar nga Njësi Task Force për korrupsion në rastin e një personi të gjykuar prej tij për mbajtje dhe kultivim të lëndëve narkotike. Sipas prokurorisë gjyqtari dyshohet se ka marrë një sasi eurosh dhe i ka ulur dënimin të arrestuarit me lëndë narkotike. prokuroria ka marrë një denoncim anonim në lidhje me gjyqtarin. Kallëzimi është paraqitur në prokurorinë e Elbasanit dhe për të shmangur konfliktin e interesit dosja është transferuar në Tiranë. Pasi gjeti elementë të veprës penale prokuroria i kërkoi KLD-së heqjen e imunitetit të gjyqtarit për të zhvilluar hetime ndaj tij.