E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshehu pasurinë, kallëzim penal ish-deputetit dhe kryekomunarit

 Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dërgon për ndjekje penale ish-deputetin e Partisë Republikane, Hajrulla Paturri dhe kryetarin e komunës Kolsh të Kukësit, Abedin Oruçi. Paturri është kallëzuar penalisht, sipas ILDKP-së, për shkak të mos deklarimit të interesave private. Ndërsa kryekomunari Oruçi për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë të reja. Pasuria e paluajtshme e kryekomunarit ka dalë pas legalizimit të banesave të kryera nga ana e ALUIZN-it. Pas kontrollit të ushtruar nga ILDKP ndaj subjektit Abedin Oruçi, rezultoi se në vetëdeklarimet e tij pranë ILDKP, zyrtari lokal nuk ka pasqyruar: 3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²; si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës. “Të dhënat janë zbuluar prej informacioneve të mbërritura nga ALUIZNI, ku subjekti ka dorëzuar dosjen për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë informale, si edhe nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kukës. Pas konstatimit të parregullsive, Inspektorati i Lartë i kërkoi subjektit Oruçi të paraqiste sqarimet e tij mbi objektet e padeklaruara, gjë e cila u refuzua prej tij”, thuhet në njoftimin për shtyp. Për të krijuar një situatë më të qartë mbi vlerën financiare të investimit të kryer nga zyrtari, ILDKP kërkoi mendimin e një eksperti të licencuar  për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili shqyrtoi të dhënat e vetëdeklaruara prej Oruçit në zyrat e ALUIZNI-t, vetëm për tre objektet e banimit. Në opinionin e ekspertit vlerësues, vlera e ndërtimeve të padeklaruara në Inspektoratin e Lartë nga Kryetari i Komunës Kolsh është 31.413.017 lekë të reja, shumë, e cila për më tepër, nuk justifikohet nga të ardhurat e subjektit ndër vite. Nisur nga kjo ILDKP-ja ka bërë kallëzim penal për konsumin e veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nëpunësve publike”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›