Fieri pa stacion metereologjik, orientimi nga qytetet fqinjë
>Fieri, një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë vazhdon të vuajë mungesën e një stacioni meteorologjik. Të marrësh përditë parashikimin e motit nga qytetet fqinje, nuk rezulton një praktikë shumë e besueshme, pasi në të shumtën e rasteve parashikimet nuk janë të sakta. Në këtë mënyrë, fierakët dhe gjithë banorët e zonave përreth nuk kanë mundësinë të mësojnë në kohë reale e të detajuar temperaturën, rrezatimin diellor, shpejtësinë dhe drejtimin e erës e shumë informacione të dobishme.
Shpesh herë, vetë qytetarët janë shprehur se krijimi i një stacioni të tillë është domosdoshmëri, pasi vite më parë ai ka funksionuar. Edhe Fieri shumë kohë më parë ka pasur një stacion meteorologjik nga ku dilnin edhe parashikimet e motit. Tani nuk dimë ku të bazohemi. Shpesh herë dëgjojmë motin dhe nuk dimë nëse është e vërtetë apo jo. Duhet që me patjetër të ngrihet një qendër, në qytet, për këtë shërbim tepër të vlefshëm. Ndërkohë me mendimin e qytetarëve bashkohet edhe prefekti i qarkut Fier, Shahin Bejdaj. "Është mëse e nevojshme një qendër meteorologjike duke qenë se Fieri është një rajon i madh bujqësor, ku edhe numri i ekonomive që bazohen në ferma është tepër i lartë. Vetë qarku i Fierit, duke qenë edhe në një pozitë të tillë gjeografike, ku ekonomia bazohet në ferma e prodhime bujqësore, e ka domosdoshmëri stacionin meteorologjik me qëllim që fermerët të dinë në çdo kohë parashikimet e motit. Mbi bazën e këtyre të dhëna fermerët ndërtojnë edhe aktivitetin e tyre dhe marrin edhe masa për organizimin e punës", shprehet prefekti. Vetë Bejdaj ka deklaruar se do të kërkojë ngritjen e këtij stacioni, për tu ardhur në ndihmë me një informacion më shumë gjithë të interesuarve në qark. Edhe pse në dukje një problem i vogël stacioni meteorologjik përbën një shqetësim për fierakët, të cilët përditë shikojnë se si do të jete moti në qytetet fqinje, duke mos pasur një stacion të vetin.