Fieri, qendër e trafikut dhe burim klandestinësh drejt Greqisë
GJIROKASTËR - Disa raste të tentativave të kalimit të paligjshëm drejt Greqisë e kanë kthyer rrethin e Fierit në një qendër të organizimit të trafiqeve klandestine, ku nuk kanë munguar as viktimat. Pas identifikimit të disa autorëve si pjesëmarrës në trafikun klandestin drejt shtetit fqinj në liqenin e Butrintit, janë shënuar edhe disa raste të tjera, ku grupe të organizuara tentojnë të kalojnë ilegalisht drejt Greqisë. Rasti më i fundit është shënuar mbrëmjen e dy ditëve më parë, ku janë ndaluar 4 shtetas nga Fieri si dhe personi që kishte marrë përsipër kalimin e tyre në tokën helene. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se të premten, rreth orës 22:50 është arrestuar shtetasi Fitim Shyti, lindur dhe banues në fshatin Krahs të Tepelenës. Sipas tyre, 31-vjeçari Shyti tentoi të kalojë drejt Greqisë 4 persona me banim në Fier, kundrejt shumash preh 700 eurosh për person. Ndalimi i 31-vjeçarit u bë rreth orës 16 të dy ditëve më parë, në aksin rrugor Përmet – Çarshovë, teksa ndihmonte katër fierakët për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Këta shtetas janë shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe pas një pune të mirëfilltë hetimore e procedurale, u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe vënia e autorit para përgjegjësisë penale. Shtetasi Fitim Shyti është vënë nën akuzë për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”. Tri ditë më parë u ndaluan edhe 7 fierakë të tjerë, të cilët tentuan të kalojnë drejt Greqisë në mënyrë ilegale, pasi kishin paguar shuma të konsiderueshme parash te një shtetas i akuzuar për dhënie ndihme të paligjshme të kufirit. Ndërsa të dielën në mbrëmje, disa fierakë, në bashkëpunim, tentuan të kalojnë 23 klandestinë përmes liqenit të Butrintit, ku gjetën vdekjen 5 persona. Policia ka arrestuar katër nga autorët e dyshuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Dy nga viktimat e kësaj ngjarjeje ishin nga Fieri. Të dhënat tregojnë se Fieri është kthyer në një burim të trafikut klandestin, por edhe një qendër të organizimit të rrjeteve të trafikut.
Masat, mbeten në burg edhe dy të tjerë për tragjedinë në Butrint
SARANDË - Kanë ngelur në burg edhe dy personat e arrestuar pak ditë më parë nga policia në lidhje me tragjedinë e Butrintit. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, Gjykata e Sarandë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për Dashamir Mane dhe Hyqmet Sollaku. Këta akuzohen për “dhënie ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen e më shumë se dy personave”. Në dëshminë e tyre, të akuzuarit kanë pranuar akuzën. Prokuroria tha se, të arrestuarit janë pjesë e grupit drejtues të varkës me 24 persona e cila tentoi të kalonte ilegalisht për në Greqi por u përmbys në kanalin e liqenit të Butrintit, Sarandë, duke sjellë edhe vdekjen e pesë personave. Dy personat e tjerë të grupit drejtues, Brahim Madhi dhe Albert Gega janë ende në kërkim. Tri ditë më parë u dha masa e sigurisë “arrest në burg” por dy të tjerë. Në lidhje me këtë çështje po hetohen 6 persona, të cilët ishin protagonistë të tentativës së kalimit të paligjshëm të kufirit, ku mbetën të vdekur pesë persona.
26 Tetor 2008