Skandali në Policinë e Vlorës, i mituri jetim lihet në një qeli me të rriturit
Laureta Rryçi
Tiranë - Të shoqëruarit në Komisariatin e Vlorës trajtohen në mënyrë degraduese. Në këtë përfundim ka mbërritur Avokati i Popullit pas një inspektimi të befasishëm në këtë komisariat. Burime pranë Zyrës së Avokatit të Popullit pohuan dje për gazetën “Albania” se Ermir Dobjani i ka kërkuar ministrit të Brendshëm Bujar Nishani dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të marrin masa konkrete ndaj efektivëve të policisë që kanë toleruar sjellje të tilla. Sipas Dobjanit, në ambientet e ndalimit të Komisariatit të Policisë Vlorë u konstatua dhunë e ushtruar nga komandanti (mbiemri Arshiu) dhe punonjësit e policisë së grupit të gatshëm me kodin X 1 në dëm të shtetasit G. S., i cili ndodhej i shoqëruar për një konflikt me një shtetas tjetër. I shoqëruari paraqiste dëmtime të dukshme në zonën prapa veshit të majtë, në fytyrë dhe në trup. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kërkuan menjëherë praninë e Prokurorit dhe mjekut ligjor për të marrë kallëzimin penal dhe për të kryer ekspertimin mjeko-ligjor. Pavarësisht veprimeve të kryera në vend nga ana e Prokurorisë, Avokati i Popullit kërkon nga ana e drejtuesve të Policisë së Shtetit që kjo çështje të hetohet dhe të pezullohen menjëherë nga detyra efektivat qe dyshohen për abuzim me detyrën dhe veprime arbitrare.
Rekomandimi
Sipas Dobjanit, fillimisht i duhet hapur rruga vënies në zbatim të një projekti tashmë të gatshëm për rikonstruksionin e dhomave të ndalimit dhe shoqërimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili do të eliminojë problematikën që ekziston aktualisht në këto ambiente. Ndërkohë, duhet të merren masa urgjente për korrigjimin e praktikave të paligjshme të shoqërimit që aplikohen nga Komisariati i Policisë Vlorë, si dhe nxjerrjes së përgjegjësisë konkrete për dhunën që ushtrohet ndaj shtetasve. Gjithashtu duhet të organizohet menjëherë puna për transferimin e të dënuarve me vendim të formës së prerë nga gjykata, duke i kaluar ata në dorëzim të Administratës së Burgjeve. Pezullimin nga detyra të punonjësve të policisë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetasit G. S., derisa prokuroria të përfundojë hetimin.
I mituri
Gjatë inspektimit është vënë re që në ambientet e ndalimit të Komisariatit të Policisë Vlorë mbahej në mënyrë të paligjshme shtetasit E. S. i datëlindjes 05.02.1991 (i mitur). Ky shtetas ishte nxënës i Shkollës së Mesme Tregtare të Vlorës, jetim dhe meqenëse ishte goditur nga kujdestari i konviktit të shkollës kishte thirrur policinë për të bërë kallëzim. Grupi i gatshëm i policisë kishte kryer shoqërimin e tij së bashku me kujdestarin, duke e vendosur atë në një dhomë izolimi. Atij ia kishin hequr të gjitha sendet personale dhe për këtë veprim nuk kishin mbajtur procesverbal. Pavarësisht të qenit të mitur, nga ana e policisë nuk ishin thirrur asnjë i afërm i tij dhe nuk i ishte dhënë ushqim. Njëkohësisht këtij personi nuk i ishte komunikuar shkaku i izolimit të tij, por ishte trajtuar njëlloj si personat e tjerë të ndaluar.
Shkurt
Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e Lul Berishës
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e Lul Berishës për ndryshim të trupit gjykues. Burime pranë kësaj gjykate pohuan se kërkesa e drejtuesit të bandës së Durrësit u hodh poshtë pasi nuk kishte argumente ligjore për zbatimin e saj. Lul Berisha kërkoi pak ditë më parë në seancën gjyqësore që të ndryshohej Trupi gjykues për shkak se po tregohej i njëanshëm. Madje në seancën e kaluar të gjithë të pandehurit nuk qëndruan në sallë pasi kolegji penal nuk i pranoi provat e mbrojtjes.
Diplomat false, nisin verifikimet në Elbasan
ELBASAN – Rikthehet skandali i diplomave në rrethin e Elbasanit, ku ka rezultuar një student në vitin e katërt të universitetit, i cili nuk kishte përfunduar arsimin e mesëm. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se ekspertët e Seksionit të Luftës Kundër krimit Ekonomik kanë verifikuar diplomën e shkollës së mesme të shtetasit G. S., lindur e banues në Rrogozhinë, e cila rezultoi të ishte false. Sipas tyre, 33-vjeçari kishte paraqitur një dëftesë të marrë në gjimnazin “Partizani” në Tiranë. “G.S., nëpërmjet kësaj diplome ishte duke vazhduar Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit”, - thanë burimet policore. Sipas tyre, në momentin e zbulimit të diplomës, ai vazhdonte vitin e katërt. Ndaj shtetasit G. S. kanë nisur hetimet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
26 Tetor 2008