E Diel, 1 Nëntor 2026

Fierza drejt pikut, KESH eksporton edhe në verë

 

Fabiola Çela

KESH mund të eksportojë energji edhe gjatë muajve të verës. Duke qenë se situata hidrike në kaskadën e Drinit vazhdon të jetë në kushte të mira, atëherë drejtuesit e korporatës po shikojnë mundësinë që të vazhdojnë eksportin e energjisë edhe gjatë muajve korrik-gusht. Kjo do të ishte fitimprurëse për korporatën, pasi gjatë muajve të verës energjia elektrike eksportohet me një çmime më të larta se tani.
Eksporti
E gjithë kërkesa për energji në vend po plotësohet nga prodhimi vendas. Aktualisht KESH po eksporton vetëm atë pjesë të energjisë që konsiderohet si e tepërt. KESH po eksporton në Kosovë dhe Greqi me çmime që janë rreth 35 euro për megavat. Sipas të dhënave nga korporata, aktualisht prodhimi vendas i energjisë arrin në 14.5 milionë kilovat orë, ndërsa eksporti i energjisë arrin në 2-3 milionë kilovat orë në ditë. Kjo energji që eksportohet është vetëm energji e pikut, dmth në kohën kur çmimi i energjisë ka vlerën maksimale në treg. Por nëse situata në kaskadën e Drinit do të vijojë të jetë e mirë, atëherë KESH mund të vazhdojë eksportin e energjisë edhe gjatë muajve korrik-gusht. Ky do të quhej eksport i mirëfilltë me një vlerë të madhe ekonomike, pasi në këtë periudhë tregu energjisë dhe sidomos tregu në Greqi ka çmime më të larta. Në një kohë kur eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja kanë pësuar rënie, KESH ka nisur për herë të parë këtë vit të eksportojë energji elektrike drejt vendeve fqinje. KESH nisi eksportin e energjisë gjatë muajit shkurt dhe, sasia e energjisë së eksportuar drejt Greqisë arrinte vlerën prej 5 milionë euro. Ndërkohë që u nënshkruan kontratat e eksportit edhe për muajin prill, ku është eksportuar plot 53.360 MWh energji elektrike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, KESH ka lidhur kontratat e eksportit të energjisë me Kosovën, me Greqinë dhe kompaninë Atel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›