E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillimi “kalon” nga rritja ekonomike

ADRIAN CIVICI 

Në programet elektorale të partive apo në fjalimet e përditshme të liderëve politikë shqiptarë mund të evidentohet shumë lehtë një element determinues me anën e të cilit shpresohet suksesi. Shpërndarja dhe rishpërndarja e të ardhurave, pothuajse krejtësisht publike, d.m.th si pjesë të buxhetit, duket se po konsiderohet si “çelësi magjik” i kësaj fushate Premtohet gjithçka që është e mundur apo që konsiderohet e domosdoshme. Në kuadrin e shpalosjes së programeve për qeverisjen e ardhshme, për të cilët deklarohet se kanë punuar ekspertët më të mirë pranë partive respektive, çdo ditë del në skenë nga një angazhim apo premtim i ri.  Në themelet e kësaj fushate duket se qëndrojnë premtimet dhe objektivat për rritjen e shërbimeve dhe politikat sociale. “Dyfishim i shpenzimeve publike për arsimin dhe shëndetësinë”, “dyfishim tjetër pagash e pensionesh”, “transport falas për shumë kategori sociale”, “libra falas për një kategori të gjerë nxënësish”, “punësim të garantuar për mbi 100 mijë të papunë”, “ndihma sociale të dyfishuara”, “shërbim shëndetësor mjaft ambicioz e cilësor”, “pagesa kompensuese të shumta në bujqësi”, “eliminim përfundimtar i varfërisë”, “mbështetje totale për biznesin, eksportet” heqjen apo reduktimin e TVSH për shumë aktivitete etj., etj. Natyrisht që partitë dhe liderët e tyre janë në të drejtën e vet institucionale për të bërë premtime konkrete, dhe për më tepër e gjithë shoqëria shqiptare është e interesuar maksimalisht për realizimin e tyre. Por, që këto premtime të duken e të besohen sa më reale, ato kanë nevojë të jenë sa më të mbështetura e të argumentuara në mundësitë e realizimit të tyre. Dhe akoma më shumë në koherencën e tyre me strategjitë afatgjata të zhvillimit, pa harruar këtu edhe koherencën me sistemin apo llojin e kapitalizmit që duam të profilizojmë në Shqipëri.
     Në thelb, të krijohet përshtypja se kemi dhe do të kemi një “thes” të mbushur plot me para dhe problemi i vetëm duket se është vetëm rishpërndarja më e mirë e tij. Flitet shumë për “zbrazjen” sa më efektive të tij, por pak për “mbushjen”. Flitet shumë për “zhvillimin”, por pak për “rritjen ekonomike”, garantuesen “financiare” e mbështetësen bazë të këtij zhvillimi. Një nga ekonomistët më të njohur të kësaj fushe, Christian Comeliau e shpreh bukur këtë lidhje jetike kur thotë se “rritja ekonomike është sfida e kohëve moderne. Je drejtues i një vendi të varfër... atëherë përshpejto rritjen e PBB; vendi juaj ka borxhe dhe shlyerja e tyre është e vështirë?... e vetmja mënyrë që ju t’i shlyeni këto detyrime është rritja e përshpejtuar ekonomike; pabarazia dhe varfëria janë shqetësuese për shoqërinë tuaj?... atëherë gjeni mundësitë që “torta” që doni të ndani të jetë sa më e madhe; pushtetet publike nuk kanë aq para sa ju duhen për të realizuar objektivat e tyre?... përpara se të vendosni për politika taksash apo shtim të borxhit, mendoni se si mund të zhvilloni aktivitetin prodhues në vendin tuaj, sepse rritja e tij është përgjigjja e vetme për shqetësimet tuaja, etj.”. Me një fjalë, çelësi që garanton realizimin e suksesit dhe premtimeve duket se është absolutisht “rritja ekonomike”.
Përtej grindjeve politike mbi shifrën e saktë të rritjes, në këtë fushatë elektorale flitet e diskutohet pak për rritjen ekonomike si objektiv fondamental e proces qeverisës. Ndërkohë që janë të paktën tre elemente themelore që kërkojnë debat, analiza e propozime konkrete, në radhë të patë për katër vitet e qeverisjes së ardhshme, por edhe në një plan më afatmesëm 6-8-vjeçar.
Së pari, sa pritet të jetë shifra reale e rritjes ekonomike për 2-3 vitet në vazhdim, përfshirë këtu dhe 2009, dhe çfarë implikimesh të mundshme buxhetore e fiskale do të japë ajo? Duke patur parasysh efektet e padiskutueshme të krizës ekonomiko-financiare ndërkombëtare në ekonominë dhe financat tona, aq më tepër që vitet 2009-2010 sipas gjithë parashikimeve të ekspertëve dhe institucioneve ndërkombëtare pritet të jenë shumë të vështirë. Në dy vitet që vijnë, Shqipëria, thjesht po shpreson të jetë pak mbi zero në rritjen e saj, që gjithsesi është lajm pozitiv. Debati “na ka prekur apo nuk na ka prekur kriza” tashmë është absurd. Po kështu edhe qëndrimet përgjithësuese “kriza po e dëmton shumë rëndë ekonominë dhe nivelin e jetesës në Shqipëri..... apo, ne jemi gati se kemi fonde rezervë kontingjente, dhe po ndodhi gjë do marrim menjëherë masa”. Parashikimet dhe serioziteti i hartimit të buxheteve, minimalisht për vitet 2010 dhe 2011, dhe në këtë kuadër, evidentimi i “bilancit financiar” ndërmjet mundësive dhe premtimeve do të ishte një kontribut serioz në premtimet e tashme elektorale të grupimeve kryesore politike në Shqipëri. Është menduar që premtimet mjaft të “bollshme” të realizohen me rritjen ekonomike të brendshme apo me “borxhe” të të gjitha llojeve nga jashtë? Si janë parashikuar të jenë treguesit kryesorë të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes për 2-3 vitet e ardhshme? Dhënia e shifrave dhe analizave konkrete në këtë drejtim do të ishte një dëshmi e korrektesës politike dhe ekspertizës profesionale.
Së dyti. Ndodhemi në një moment thelbësor për të diskutuar e precizuar një koncept e një politikë të qartë për modelin e rritjes ekonomike dhe faktorët esencialë të saj. Mbyllja e “periudhës 18-vjeçare të tranzicionit” si dhe kriza aktuale ekonomiko-financiare na ka vënë përballë një fakti të pakundërshtueshëm. Modeli i deritashëm garantues i rritjes ekonomike në Shqipëri i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni, donacionet, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj, privatizimet masive, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom” i sektorit të ndërtimit, “shkarkimin e papunësisë në emigracion drejt Greqisë apo Italisë” etj., duket se po shkon drejt ezaurimit. Edhe politikat 18-vjeçare me prioritet absolut për “ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë” duke krijuar kështu mundësi për rritjen ekonomike duket se nuk mund të jenë më të vetme. Ka ardhur koha të bëjmë politika të pastra, të mirë adresuara e të gjera “për nxitjen maksimale të rritjes ekonomike”. Aktualisht, në shumë vende të botës, përfshirë këtu si ato të zhvilluara dhe në zhvillim, ka një reflektim e debat masiv për “modelin e rritjes ekonomike” që duhet të ndjekin vendet në zhvillim, grup në të cilin përfshihet dhe Shqipëria.
Sipas Dani Rodrik i Universitetit të Havardit, në vitet që vijnë, që padyshim do të ndjejnë efektet e krizës “rritja ekonomike për vendet në zhvillim mund të nxitet në tre mënyra: nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para dhe disa produkteve të gatshme; nëpërmjet ristrukturimit ekonomik e diversifikimit të produkteve dhe adoptimit masiv të teknologjive të reja”. Dy modelet e para gjykohet se janë më “të rrezikshme” dhe jo “të qëndrueshme” në raport me të tretin. Ta mbështesësh rritjen pothuajse vetëm tek investimet apo kreditë e huaja do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur totalisht nga flukset dhe “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje jo reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara, të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi shumë larg realitetit tënd. Edhe rritja ekonomike e bazuar te lëndët e para dhe eksporti i tyre apo “eksporti i punës” kur është fjala për sektorin me fason vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afatmesme, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në mjaft vende të botës, ka prodhuar një rritje konstante afatgjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, sugjerohet që vendet në zhvillim të bëjnë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus. Qeverive që duan të nxisin rritjen ekonomike iu sugjerohet të mos mbeten vetëm tek “politikat fondamentale” të programeve të axhustimeve strukturore si p.sh., stabiliteti makroekonomik, privatizimet, hapja e liberalizimi ekonomik, por të jenë shumë të orientuara drejt “politikave prodhuese” e sidomos “politikave industriale”, të jenë të kujdesshme me ecurinë e monedhave të tyre nacionale dhe stabilitetin financiar, të jenë maksimalisht të pritura për futjen masive të teknologjive të reja, ta kenë maksimalisht në fokus zgjerimin e “kapitalit human” dhe përfshirjen sa më të gjerë të popullsisë aktive e territorit në “kontributin dhe përfitimet nga rritja”. “Modernizimi, diversifikimi i sektorit të shërbimeve dhe inovacionet e vazhdueshme” të tij përbëjnë një nga sfidat e rritjes së qëndrueshme. Rritja ekonomike që ekziston në një terren ekonomiko-financiar të dominuar nga deficiti i bilancit të pagesave, deficiti tregtar, monedhë nacionale e mbivlerësuar si pasojë e konjukturave financiare e monetare apo në luhatje të vazhdueshme, nxitja subjektive e kërkesës së brendshme, mospërfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme sociale dhe tërësisë territoriale në kontributin e përfitimet nga rritja, etj., nuk vlerësohet si rritje ekonomike e qëndrueshme dhe eficente.
Më shumë se gjithçka, kjo fushatë mund e duhet t’i shërbejë debatimit e diskutimit të alternativave më të mira që na garantojnë një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›