Nënkryetari i KLD-së: Do mbroj në gjyq shkarkimin e Gjinovefa Gabës
TIRANE – Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD, kërkoi ta bëjë ai përfaqësimin e institucionit që drejton në përballjen me tre gjyqtarët e Apelit të Vlorës në Gjykatën e Lartë. Kërkesa u paraqit ditën e djeshme në Gjykatën e Lartë, në seancën ku do të shqyrtohej padia e tre gjyqtarëve. Ndërsa në seancë ishin tre gjyqtarët e shkarkuar nga KLD, Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari, përfaqësuesi ligjor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë paraqiti përpara Kolegjit të Bashkuar një kërkesë të firmosur nga Spahiu. Sipas deklaratës, nënkryetari i KLD-së, Spahiu kërkonte shtyrjen e seancës në një datë të re ku do të ishte ai përfaqësues i KLD-së në gjykim. Në vijim togat e zeza vendosën datën 23 qershor si seancën e radhës, ku pritet të jetë i pranishëm edhe Spahiu. Seanca e djeshme ishte e para e këtij procesi. Tre ish-gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Vlorë u shkarkuan rreth një vit më parë nga KLD. Shkarkimi i tyre u bë pasi inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë evidentuan shkelje në dosjet e gjykuara prej tyre. Nga Kolegjet e Bashkuara, ish-gjyqtarët kërkojnë rikthimin e tyre në detyrë dhe shfuqizimin e vendimit të KLD-së, për shkarkimin e tyre. a.b