Fierza në pikë kritike, dyfishohen prurjet
Nga prurjet e shumta, niveli i këtij liqeni ka arritur në 292 metra, çka do të thotë se ka kaluar 2 metra mbi pikën kritike. Shkak i shtimit të prurjeve është bërë shkrirja e borës në zonat verilindore të Kukësit dhe të Dibrës. Korporta Elektroenergjetike Shqiptare bëri të ditur se aktualisht prurjet në Fierzë janë dyfishuar krahasuar me një ditë më parë, duke arritur në 800 metër kub ujë në sekondë.Për këtë arsye, KESH ka hapur sërish portat e shkarkimit në këtë basenë ujëmbledhës, duke derdhur 400 metra kub/ujë në sekondë. Megjithëse prodhimi i energjisë është në nivele maksimale, kjo nuk jep shumë shpresa për uljen graduale të nivelit të ujit. Gjatë ditës së sotme, tre hidrocentralet mbi lumin Drin kanë prodhuar 28 milionë kilovat orë.I ndodhur përballë kësaj situate, KESH-i është i detyruar të derdhë sasi të mëdha uji, por nga ana tjetër do të shkaktojë më shumë përmbytje në zonat e ultësirës së Shkodrës.