KLD-ja: Mbështesim projektligjin e ministrisë
Deklarata
Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbështet projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkojnë që drafti përfundimtar të kalojë të gjitha fazat, pasi nuk mund të digjen etapat. KLD-ja deklaron se në asnjë rast, një proces zgjedhor nga Konferenca Gjyqësore nuk mund të jetë kushtetues, pasi ligji në fjalë është shpallur antikushtetues dhe e ka detyruar Kuvendin të hartojë një ligj të ri. “Një mbledhje e konferencës pa një ligj përkatës delegjitimon vendimin që do të marrë dhe si rrjedhojë zgjedhjet janë antikushtetuese” do të deklaronte KLD-ja, duke shtuar se vetëm me një kontestim, do të pezullohej procesi dhe do të fuste në kolaps të gjithë sistemin gjyqësor. Këshilli do të shtonte se nuk ka asnjë ngut për të emëruar anëtarët e rinj të KLD-së, pasi ligji për KLD-në garanton stabilitetin. Në nenin 7 të këtij ligji thuhet se “mandati i anëtarit të KLD-së mbaron kur zgjidhet tjetri". Pra, sipas KLD-së, kjo është një garanci për një proces të drejtë dhe ligjor.
#