E Diel, 1 Nëntor 2026

Fierzë; Shkon të pijë ilaçet, gëlltit gabimisht lëndë helmuese

Ka dashur të pijë ilaçet, por gabimisht ka marrë një tjetër kuti, duke gëlltitur lëndë helmuese. Gabimi, që për pak i kushtoi jetën, ka çuar në urgjencë një 22-vjeçare në gjendje kritike për jetën. Ngjarja ndodhi në një fshat të komunës Fierzë të rrethit të Pukës. Sipas burimeve të policisë lokale, bëhet e ditur se 22-vjeçarja me inicialet J. K., nga fshati Mzi i Fierzës përfundoi në spital pas një ngatërrese të ilaçeve. “Vajza ka dashur të marrë ilaçet, të cilat i pinte për një sëmundje, por gabimisht ka rrëmbyer një tjetër pako, ku ka qenë e futur lëndë helmuese”, - thonë burimet e policisë, duke iu referuar dëshmisë së familjarëve. Menjëherë sapo ka pirë lëndën, vajza është ndier keq dhe ka kërkuar ndihmë. Familjarët e kanë gjetur në gjendje të rëndë dhe të alarmuar e kanë transportuar për në urgjencë. Mjekët kanë konstatuar helmim nga lëndë helmuese, por ende nuk kanë përcaktuar llojin e saj. Për fat, sipas tyre, vajza ka mbërritur në kohë dhe pas trajtimit nuk është në rrezik për jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›