Tepelenë; Grabiti me armë në 1997-ën, arrestohet Artan Selimja
Policia e Tepelenës ka vënë në pranga dy ditë më parë një shtetas të shpallur prej disa kohësh në kërkim, pasi ishte dënuar 12 vjet burg për një grabitje të 11 viteve më parë. Bëhet fjalë për shtetasin Artan Selimja, i datëlindjes 1971, lindur dhe banues në Bënçë, Tepelenë, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datën 12.02.1998, me vendim nr 75, e ka dënuar me 12 vjet burg në mungesë, për veprën penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga nenet 140 e 25 dhe 276/2 të Kodit Penal. Sipas burimeve policore, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit Enkel Spahaj dhe Klodian Hoxha, më datën 03.09.1997, kanë grabitur me armë në aksin rrugor rural Progonat – Tepelenë, furgonat e linjës Progonat – Tepelenë, ndërkohë që shtetasit Hoxha dhe Spahaj, e kanë vuajtur dënimin në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Kapja e këtij shtetasi u bë në fshatin Bënçë të rrethit Tepelenë në momentin që ky shtetas po hynte në banesën e tij. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprime të mëtejshme.