E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër; Zjarri i rënë në shkurre shkakton shpërthim granatash në një ndërtesë

Flakët e një zjarri kanë përfshirë një ndërtesë me mallra të ndryshme në fshatin Grudë e Re të komunës Rrethina të rrethit të Shkodrës, ndërsa është dëgjuar dhe një shpërthim që mendohet të jetë shkaktuar nga një granatë. Mbërritja me shpejtësi e mjeteve zjarrfikëse ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre në banesat që ishin pranë, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit dhe shpërthimin e lëndës plasëse. Burime zyrtare pranë policisë së Shkodrës thanë se “mendohet se fillimisht zjarri ka rënë në një sasi mbeturinash dhe shkurresh për të përfshirë më pas ndërtesën me pronar Pal Prronin, e cila shërbente si magazinë mallrash. Gjatë kohës së rënies së zjarrit është dëgjuar dhe një shpërthim, që dyshohet të jetë provokuar nga një granatë”. Sipas burimeve, si rezultat i zjarrit është djegur një sasi e madhe e mallrave në një magazinë, pronë e shtetasit Prroni, ndërkohë që dyshohet që zjarri të jetë vendosur nga disa fëmijë, të cilëve situata u ka dalë jashtë kontrollit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›