E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fiks Fare" blen një uniformë policie në butik

Kushdo në Shqipëri mund të blejë një
uniformë policie dhe ta përdorë atë.
Askush nuk të thotë gjë. Një dyqan
në Tiranë, në Rrugën e Barrikadave,
shet të gjithë aksesorët e uniformës së policisë
dhe të ushtrisë shqiptare. Në këtë dyqan
lexon shënimin: "Kemi uniforma policie". Kjo
është mënyra e fundit që kanë gjetur tregtarët
për të nxjerrë fitime. Atje mund të gjesh gjithçka,
xhupa, pantallona, këmisha, stema të policisë,
kapele. Madje, i zoti i dyqanit ka vendosur
edhe reklamën se, atje mund të gjesh këto
uniforma. Gazetari i "Fiks Fare" shkoi pikërisht
në këtë dyqan dhe bleu pajisje policie: kapele,
xhupa, këpucë, rripa, kamuflazh, stema.
Gjithçka kushtoi 8500 lekë.
Në fund të vitit të kaluar u vendos ndryshimi
i uniformës së punonjësve të policisë,
pasi në atë aktuale janë evidentuar probleme
e mangësi, duke nisur nga cilësia e materialeve
të përdorura për prodhim, deri te modelimi
dhe kompozimi i gradave e stemave, gjë
që ndikonte në paraqitjen e punonjësve të
policisë. Në tregun e lirë gjen pikërisht edhe
modelet e reja të uniformave të policisë.
Pikërisht kjo uniformë u ble në dyqan.
"Shitësja nuk e verifikoi fare nëse ishim, ose
jo punonjës policisë dhe nëse na takonte ta
blinim këtë uniformë". Pasi i shiti gazetarit të
"Fiksit" të gjitha pjesët e uniformës, ajo i
kërkoi ndonjë dokument që ta vërtetonte se
ishte punonjës i Policisë së Shtetit. Gazetari
iu përgjigj se nuk e kishte me vete dokumentin.
Në fund, ai mori uniformën. Me këto uniforma
mund të bësh gjithçka. Ndërkohë, në
vendimin 236 të Këshillit të Ministrave të
datës 23.04.2004 është e përcaktuar qartë:
ndalohet shumëfishimi dhe realizimi i tyre për
përdorues të institucioneve të tjera. Por ligji
duket se nuk i tremb tregtarët që shesin çfarë
të mundin, në këtë rast edhe uniforma policie.
Madje, uniformat që gjen në këtë dyqan
janë edhe modele të uniformës së re, të cilat
janë modeluar nga ekspertët italianë, që i
kanë prezantuar vitin e kaluar para të gjithë
drejtuesve të Policisë së Shtetit. Që në janar
të vitit të kaluar, është vënë theksi në ligjin
Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, "Për Policinë e
Shtetit", domosdoshmërinë e një prezantimi
sa më dinjitoz, për përmirësimin e performancës
së policisë dhe të rritjes së anës funksionale
të objekteve të uniformës. Pas vitit
1991, uniformat e policisë kanë ndryshuar tri
herë. Por, këto ndryshime janë ndjerë edhe
në treg, ku gjen edhe kompozimet e reja të
disa elementeve përbërëse të uniformës, e në
veçanti shenjave, gradave, stemave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›