E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, ish-ministri nën hetim

Shtrihet në Tiranë skandali
me fondet publike ndaj
Qendrës së Fëmijëve të
Ngujuar në Poliçan. Prokuroria
e Përgjithshme konfirmon
se ka filluar hetimet ndaj
ish-ministrit të Punës, Çështjeve
Sociale dhe Shanseve të Barabarta,
Kosta Barka. "Kemi dyshime
se gjatë kohës që shtetasi
Kosta Barka ka drejtuar ministrinë,
ka abuzuar me dhënien e
fondeve ndaj Qendrës së Fëmijëve
të Ngujuar në Poliçan. Barka,
aktualisht nëndrejtor i
përgjithshëm i Hipotekave, është
person nën hetim për këtë
çështje. Hetimet e mëvonshme
do të saktësojnë rolin e tij në
aferat e dyshuara", deklarojnë
burimet nga Prokuroria e
Përgjithshme. Por, burime nga
Prokuroria e Beratit saktësojnë
se emri i Barkës ka dalë që në momentin
që ai drejtonte Ministrinë
e Punës.
Hetimet
Disa muaj më parë, Prokuroria
e Beratit i ka dërguar një shkresë
zyrtare Prokurorisë së
Përgjithshme, ku i kërkonte që të
hiqej imuniteti ndaj ministrit
Kosta Barka. "Gjatë hetimeve
paraprake për abuzimin me fondet
e Qendrës së Fëmijëve të
Ngujuar në Poliçan, ka rezultuar
se ministri Kosta Barka ka
abuzuar me detyrën. Për këtë ai
duhet të përgjigjet për veprën
penale të shpërdorimit të
detyrës", thuhej në kërkesën e
Prokurorisë së Beratit. Kjo
kërkesë është protokolluar në
zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm
dhe është verifikuar nga
zyrtarët më të lartë të këtij organi.
Këta të fundit kanë vendosur
që dosja duhet të plotësohet
me materiale nga prokuroria që
ndjek çështjen, duke refuzuar
kërkesën për heqjen e imunitetit
ndaj ministrit Kosta Barka.
Duke u bazuar te vendimi i mësipërm,
akuza qendrore i kërkoi
prokurorisë të rishqyrtonte provat
që kishte në dosje dhe të arrinte
një tjetër konkluzion. Tashmë,
Prokuroria e Beratit thotë se
dosja është "kopsitur" dhe së
shpejti do të merret një vendim
përfundimtar për të gjithë personat
që ndodhen nën hetim,
duke mos përjashtuar masat shtrënguese
ndaj tyre.
Provat
Dyshohet se zyrtarët e Ministrisë
së Punës kanë shpërdoruar
qindra milionë lekë të
destinuara për të shkuar në
Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar
në Poliçan. Por, paratë duket se
kanë "humbur" rrugës... Për
këtë fakt, Prokuroria e Beratit ka
filluar një investigim të plotë
dhe deri tani ka nën hetim disa
institucione shtetërore. Krahas
Ministrisë së Punës, hetimet
janë përqendruar edhe te Qendra
e Fëmijëve të Ngujuar. Drejtuesi
i prokurorisë, Xhemal Saliasi,
ka bërë të ditur se kjo çështje
nuk është e panjohur për këtë
organ, por, sipas tij, do të hetohet
në çdo detaj. Prokurori Saliasi
pohon se, pas denoncimit të
bërë nga shtetasja Liljana Luani,
hetimet do të shtrihen në pushtetin
vendor, në Qendrën e Fëmijëve
të Ngujuar, si dhe në ministrinë
nga e cila u derdhën fondet.
Pasi drejtoi këtë qendër për
më shumë se dy vite dhe deklaroi
ditët e fundit mbylljen e saj
si rezultat i mungesës së fondeve
për mbajtjen e fëmijëve, aktiviteti
i Liljana Luanit do të kalojë
nën sitën e akuzës. Prokurori
Saliasi pohon se më në fund
duket se do të hidhet dritë mbi
aktivitetin dhe menaxhimin e
fondeve të akorduara në drejtim
të kësaj qendre. Gjithashtu, ai
deklaron se prej më se dy vitesh,
në dosjet e prokurorisë, përveç të
tjerave, ndodhet edhe çështja e
aktivitetit të Qendrës së Fëmijëve
në Gjakmarrje, si dhe
menaxhimi i fondeve të saj.

Abuzimet me paratë e fëmijëve,
Bashkia e Poliçanit jashtë hetimit

Prokuroria e Beratit pushon hetimin në ngarkim të kryebashkiakut
të Poliçanit për abuzimet me fondet e Qendrës për Fëmijët
e Ngujuar. Ditët e fundit, organi i akuzës ka arritur në konkluzionin
se një dokumentet që implikonte kreun e bashkisë në abuzime
është i falsifikuar. Sipas prokurorit Tasim Puci, "denoncimi i bërë
nga drejtuesja e Shoqatës së Fëmijëve të Ngujuar, Liljana Luani, ndaj
drejtuesve të pushtetit vendor, vetë kreut të bashkisë, Adriatik Zotka,
për përvetësim fondesh, tashmë është pushuar si çështje". Puci
pohon se akuza mbi kërkesën e tërheqjes së 2.7 milionë lekëve nga
ana e kreut të Bashkisë së Poliçanit ka rënë, pasi është vërtetuar se
shkrimi mbi këtë dokument nuk është i kryebashkiakut. Dokumenti
iu vu në dispozicion prokurorisë nga drejtoresha e Qendrës për Fëmijët
e Ngujuar, Liljana Luani, e cila akuzonte Adriatik Zotkën se kishte
paraqitur një kërkesë, në të cilën kërkohej të tërhiqej nga Bashkia
Poliçan një shumë prej 2.7 milionë lekësh, fond ky i akorduar nga
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale për Shoqatën e të Ngujuarve
në vitet 2006-2007. Ky dokument u përdor si argument nga zonja Luani
dhe u paraqit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Beratit si provë
materiale. Por, pas ekspertizës, u arrit në konkluzionin se kjo letër nuk
është shkruar nga kreu i Bashkisë së Poliçanit, por është shkruar nga
vetë krerët e shoqatës, të cilët kanë bërë këtë akuzë. Prokurori Tasim
Puci pohon se kjo çështje tashmë është e zbardhur dhe kjo prokurori
do të vijojë hetimet e mëtejshme ndaj krerëve të shoqatës Liljana Luani
e Ali Alushani, si dhe ndaj Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe
Shanseve të Barabarta që ka dhënë fonde për shoqatën. Sipas
prokurorisë, drejtuesit e shoqatës do të përballen tani edhe me akuzën
për falsifikim të dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›