E Shtunë, 31 Tetor 2026

File: Tri pikët me Gramozin, të domosdoshme në këtë çast delikat

Nga Elton Karaj

Trajneri i verdhebluve, Ilirian File, pavarësisht mungesave që do të ketë, beson se ekipi i tij i ka mundësitë për të fituar ndaj kolonjarëve të shtunën

Elbasanasit kanë arritur të kualifikohen për në turin tjetër të kupës, duke përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë me Mamurrasin. Verdheblutë kanë mbajtur premtimin, duke fituar 3-1 në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Kështu, objektivi është arritur, por duhet theksuar se vëmendja e stafit teknik ka qenë më tepër te ndeshja e fundjavës me Gramozin, ku fitorja është më e rëndësishme, duke ditur që Elbasani vjen nga një humbje e thellë.

Vetë trajneri Ilirian File, pas përfundimit të ndeshjes së djeshme, është shprehur mjaft i lumtur për fitoren dhe mënyrën si ka reaguar ekipi pas disfatës së Lezhës. Pavarësisht se luanim me Mamurrasin, ku kërkonim kualifikimin dhe e arritëm,  më shumë mendonim për ndeshjen e kampionatit në fundjavë kundër Gramozit. Ndeshja e sotme (e djeshme) më shumë na shërbeu për të ngritur moralin e ekipit dhe për të qenë gati për sfidën e radhës.

Luajmë me një rival dhe nuk mund të gabojmë sërish, aq më tepër që ndeshja zhvillohet në Ruzhdi Bizhuta. Na bën punë vetëm fitorja dhe për këtë arsye ekipi nuk do të bëjë asnjë ditë pushim, – ka theksuar trajneri elbasanas pas fitores me Mamurrasin, ku shënoi dy herë sulmuesi Galica dhe një herë Gava.

Mungesat Trajneri File pranon se e shqetësojnë dy mungesat që do të ketë të shtunën ndaj Gramozit, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për dy nga titullarët më të rëndësishëm të ekipit, siç janë mbrojtësi Kaçuli dhe mesfushori Gava, të dy të ndëshkuar me kartonë të kuq ndaj Besëlidhjes. Madje, Kaçuli do ti mungojë Elbasanit për 5 javë, pas dënimit që ka marrë nga komisioni i disiplinës në FSHF.

Trajneri File e ka pak të vështirë të gjejë zëvendësuesit, sepse nuk ka shumë alternativa, duke ditur që edhe mesfushori Mateos Toçin është i grumbulluar me kombëtaren U-19. Gjithsesi, trajneri elbasanas thotë se ka besim te forca e ekipit: Patjetër që më shqetësojnë mungesat që kemi për ndeshjen e radhës, sepse nuk do të kemi disa lojtarë të rëndësishëm, siç janë mesfushorët Gava dhe Toçi, por edhe mbrojtësi Kaçuli.

Pavarësisht kësaj, besoj se  mund tia dalim ta fitojmë këtë ndeshje përballë një rivali direkt për superligën. Elbasani duket në një formë mjaft të mirë dhe kemi besimin se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë delikate, ku fitorja vlen shumëfish. Të gjithë presim reagimin e ekipit edhe në kampionat, pasi shenjat e para pozitive janë dhënë në kupë. Do të kërkoja nga lojtarët vetëm përqendrimin maksimal për të marrë 3 pikët, që për ne janë të domosdoshme në këtë moment, ka përfunduar numri 1 i stolit verdheblu, Ilirian File.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›