E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari surpriza e Grupit B, eliminohet Tomori

Përveç Tomorit, janë kualifikuar skuadrat më të mira. Flamurtari thyen rekord, i shënon 11 gola Bilisht Sportit

Janë mbyllur me vetëm një të papritur ndeshjet e kthimit të turit të parë eliminator të Kupës së 60-të të Shqipërisë në Grupin D. Përbën lajm vetëm ndeshja e Lushnjës, Tomori-Luftëtari, 0-0, çka ka sjellë eliminimin e parakohshëm të beratasve në këtë raund të kupës, falë fitorës së ngushtë 1-0 të gjirokastritëve në ndeshjen e një jave më parë, e zhvilluar në qytetin e gurtë.

Nuk kanë munguar momentet e tensionit në këtë përballje, çka u reflektua me daljen nga fusha me karton të kuq të futbollistit të Tomorit, Çaushaj, pas dy të verdhave. Luftëtari, i përforcuar ndjeshëm gjatë merkatos së verës, perveçse mbetet pretendent kryesor për tu ngjitur në superiore, po shfaq ambiciet e tij edhe në kupë.

Goleada e Flamurtarit: Fundi i ndeshjes Flamurtari-Bilisht Sporti ka dhuruar një rezultat që rrallëherë e ndeshim në futboll, pavarësisht diferencave që mund të kenë skuadrat. Futbollistët që drejtohen nga Edmond Lutaj kanë shënuar plot 11 herë në portën e Bilisht Sportit, që përfaqësohej përgjithësisht me djem të rinj, të ardhur nga U-19. Plot 10 gola janë shënuar edhe në ndeshjen Laçi-Skrapari, ku sigurisht vendësit kanë treguar supermacinë e tyre, por duke u dhënë mundësi miqve nga Skrapari i largët të shënojnë 2 gola.

Detyrat e shtëpisë: Përveç Tomorit, i cili e gatoi eliminimin qysh në ndeshjen e parë në Gjirokastër, të gjitha skuadrat e tjera nuk e kanë diskutuar kualifikimin në turin tjetër. Bylisi i ka lejuar vetes të barazojë në shtëpi me Ilirinë, pasi në takimin e parë kishte fituar thellë 6-1. Tepër të thjeshtë e kanë pasur edhe Apolonia, Dinamo dhe Elbasani, që pavarësisht fitoreve jo fort të thella, nuk e kanë diskutuar kualifikimin.

Faza e grupeve: 16 skuadrat e kualifikuara pas turit të parë eliminator do të luajnë në turin pasardhës në sistem grupesh. Shorti do të përcaktojë 4 grupe me nga 4 skuadra, të cilat do të ndeshen me sistem vajtje-ardhje me grumbullim pikësh. Në përfundim të ndeshjeve në grupe, 2 skuadrat e para të çdo grupi kualifikohen për më tej. 8 skuadrat e kualifikuara ndahen sërish në 2 grupe me nga 4 skuadra. 4 skuadrat e kualifikuara (2 në çdo grup) luajnë në gjysmëfinale (short i lirë), ndërsa finalja e madhe do të luhet më 17 maj.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›