E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, rikuperimi i pikëve nis me Skraparin

Nga Julian Kasapi

Skuadrës i është lënë kohë që të reagojë, duke nisur nga ndeshja e së shtunës, para se të merren masa dhe të ketë gjoba për futbollistët

Skuadra lushnjare, pas barazimit fatal në shtëpi me Himarën, jo vetëm që fali dy pikë që ndoshta do ti prishin shumë punë më vonë, por edhe ka humbur besimin te tifozëria e saj. Nga burime pranë klubit mësohet se do të ketë sanksione dhe gjoba, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar në rrugë zyrtare. Sipas sekretarit të klubit, Shurdhi, edhe pse nuk ka rezultate pozitive në takimet e fundit, skuadrës do ti lihet kohë që të rikuperojë dhe të bëjë kthesën.

Pikërisht nisur nga këto të dhëna, stafi teknik nuk i ka nisur lojtarët e formacionit bazë për të luajtur në ndeshjen e kthimit të kupës me Kamzën, pasi ky kompeticion nuk është në synimet e lushnjarëve. Kampionati, që është parësor për Lushnjën, nuk ka nisur me këmbën e mbarë, por të gjithë shpresojnë të vijë kthesa, duke pasur parasysh kontigjentin që ka skuadra. Të gjithë e presin atë që në ndeshjen e së shtunës me Skraparin në transfertë. Një ndeshje që për lushnjarët është domethënëse për ecurinë e mëtejshme.

Skuadra Sa i përket skuadrës, ajo ka zhvilluar dje paradite seancën e radhës stërvitore, pasi në stadiumin Roza Haxhiu u luajt pasdite ndeshja e kupës mes Tomorit dhe Luftëtarit. Për lojtarët dhe të gjithë faktorët sportivë në Lushnjë, ky vit do të jetë i vështirë, pasi taperi i degraduar i stadiumit duhet të përballojë ndeshjet e Lushnjës, Tomorit dhe ndeshjet e moshave, që sipas FSHF-së, duhet të luhen dhe ato në stadium.

Skrapari Sfida me Skraparin është ndoshta nga më të vështirat për verdhejeshilët. Kjo jo për faktin se futbollistët lushnjarë nuk janë të aftë të fitojnë me një skuadër debutuese në kategorinë e parë, por sepse vjen në një moment mjaft delikat. Lushnja e ka pasur të vështirë të shprehet në fushë ndaj skuadrave më të dobëta. Megjithatë, sinjali i kujdesit ka shkuar te të gjithë futbollistët, të cilët duhet të japin maksimumin dhe të marrin pikë dhe të sillen si profesionistë.

1 humbje

Ka pësuar Lushnja në ndeshjen e vetme në transfertë që ka zhvilluar deri tani, pikërisht në Vlorë

5 pikë

Prapa vendit të parë janë lushnjarët, pas gabimeve fatale që kanë bërë javën e dytë dhe të tretë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›