E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filiali i UB, gjashtëfishohet numri i studentëve

Gjashtëfishohet numri i studentëve të regjistruar në filialin e Universitetit Bujqësor në Lushnjë. Natyra gjeografike e rrethit të Lushnjës, si edhe e të gjithë qarkut, ka nxjerrë si të domosdoshme hapjen e filialit të Universitetit Bujqësor. Të dhënat që vijnë prej drejtuesve të tij tregojnë se janë regjistruar 176 studentë të rinj, një pjesë e të cilëve edhe nga veriu i vendit. "Të paktën 176 është numri i studentëve që janë regjistruar për vitin e ri akademik 2009-2010 në filialin e Universitetit Bujqësor të Kamzës. Vitin e kaluar, që ishte edhe viti i parë akademik, në këtë filial u regjistruan rreth 26 studentë", thonë në sekretarinë e këtij filiali në Lushnjë. Ndërkohë që mësohet se gjatë verës janë marrë të gjitha masat për funksionimin e kësaj shkolle të lartë. Gjatë muajve të verës, ambientet e mësimdhënies, laboratorët dhe baza prodhuese për zhvillimin e praktikave mësimore i janë nënshtruar rikonstruksionit, sikurse edhe mjediset e konviktit. Sipas drejtorit të konviktit, Aqif Sula, investimet kanë përfunduar dhe çdo gjë është gati për fillimin e vitit të ri akademik.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›