E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu, gati emrat e qeverisë

Lideri i PASOK-ut, George Papandreu, ka nisur punën që dje për krijimin e kabinetit të ri qeveritar, pas fitores bindëse të votës së përgjithshme të së dielës së shkuar. Ai arriti që të fitojë një mandat me premtimin e luftës kundër korrupsionit dhe nxjerrjes së Greqisë nga një situatë shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar pjesërisht edhe nga kriza financiare botërore. Në mëngjesin e sotëm priten emërimet e posteve të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Ekonomisë dhe sipas medias greke thuhet se Papandreu mund ta marrë vetë drejtimin e një ministrie, ndoshta asaj të Financave për të treguar seriozitetin dhe përkushtimin e tij ndaj zgjidhjes së krizës, si dhe prioritetin që qeveria e tij do t‘i japë kësaj çështje. Deri dje ishin numëruar 99% e votimeve të zgjedhjeve të së dielës dhe sipas këtij rezultati, PASOK-u ka mundur Partinë Demokracia e Re, duke fituar një shumicë të sigurt me 160 vende në një Parlament me 300 anëtarë. Për Papandreun, bir i njërës prej dinastive që ka qeverisur Greqinë dhe që ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo ishte një fitore personale. Ai është 57 vjeç dhe që nga viti 2004 po drejton partinë e themeluar prej të atit, Andreas Papandreu. "Ajo çka të bën përshtypje në këto zgjedhje parlamentare është se George Papandreu e ka mundur kundërshtarin e tij me përqindjen më të madhe që një fitues ka mundur një kundërshtar në zgjedhjet e 35 viteve të fundit", ka bërë të ditur një analist politik. Karamanlis, ish-kryeministri grek, veç humbjes së postit të Kryeministrit dha edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, me të marrë vesh rezultatin e zgjedhjeve. Pas kësaj vote Greqia do të duhet të përballet me shumë sfida vendimtare. Së pari, deficiti buxhetor përbën 6% të Prodhimit Kombëtar Bruto, që është 3 pikë më shumë se 3% që përbën edhe kufirin e vendosur nga BE-ja. Ndërkaq, papunësia po rritet dhe njerëzit po ankohen gjithnjë e më shumë në lidhje me korrupsionin që është shndërruar në një fenomen galopant dhe shumë të rëndë në të gjitha strukturat shtetërore dhe shërbimet. "Ne duhet që të konsolidojmë forcat dhe anët tona pozitive, sepse kemi një përgjegjësi shumë të madhe mbi supe", tha Papandreu para se të merrte zyrtarisht mandatin nga Presidenti për formimin e qeverisë së re. Një test i parë do të jetë buxheti, projekti i parë i të cilit do të duhet që të paraqitet në Parlament në muajin e ardhshëm për t‘u miratuar në fund të vitit. "Buxheti do të jetë një provë e mirë për të parë se cilat janë prioritetet dhe sa serioze do të jetë qeveria në angazhimet e saj", ka bërë të ditur një analist politik grek. Buxheti do të jetë përcaktuar për një plan 3-vjeçar që Papandreu dëshiron ta paraqesë edhe në Bruksel për të bindur partnerët europianë se ai është i vendosur ta nxjerrë Greqinë nga katrahura fiskale në të cilën ndodhet. PASOK-u ka premtuar 3 miliardë euro të përmbledhura në një paketë stimuli financiar për krijimin e një platforme që do të taksojë rëndë të pasurit dhe do të ndihmojë të varfrit dhe për këtë i duhet shumë mbështetje si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Reagimet e para kanë qenë pozitive, veçanërisht për sa i takon mbështetjes nga ana e shumicës socialiste. Pas shumicës që kanë fituar socialistët në Parlament tregjet kanë reaguar menjëherë pozitivisht, duke parathënë kështu një periudhë më të stabilizuar. Për grekun e thjeshtë mendimet për këto zgjedhje janë nga më të ndryshmet, edhe pse shumica e tyre ia dha votën socialistëve. "Shpresoj se Papandreu do të na nxjerrë nga kriza dhe do të na hapë më shumë vende pune, sidomos për më të rinjtë", ka deklaruar një studente 23-vjeçare për agjencinë "Reuters". Por, një 25-vjeçar, punonjës banke është i mendimit se asgjë nuk ka për të ndryshuar, sepse këto dy parti po e udhëheqin vendin që prej 5-dhjetëvjeçarësh dhe kjo votë nuk ishte aspak për PASOK-un, por një votë kundër Karamanlisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›