E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit e klasave të 10-a, mësimet me shënime

Në të gjitha klasat e dhjeta të shkollave të mesme në Qarkun e Fierit, mësimi zhvillohet me shënime. Mungesa e mjaft teksteve mësimore ka detyruar drejtuesit e arsimit të Fierit që të urdhërojnë mësuesit t‘i japin mësimet me shënime. Mungesa e teksteve pranohet zyrtarisht edhe nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Arsimore, të cilët shprehen se kanë qenë procedurat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave ato që kanë lënë pa tekste nxënësit. Mësuesit e shkollave e kanë toleruar mungesën e librit për afro dy javë, ndërkohë që udhëzimi i dalë prej DRA-së Fier i ka detyruar ata ta organizojnë orën e mësimit edhe duke dhënë mësimin pasardhës me shënime. Mjaft nxënës e kanë pasur të vështirë përballimin e mbajtjes me shënime të mësimit, si dhe studimin e tij në shtëpi. Shqetësimi për një fakt të tillë bëhet prezent si nga nxënësit me nivel të lartë, edhe nga ata me nivel mesatar e të ulët. Duke u mësuar me një praktikë tjetër, duke pasur librin, nxënësin e klasave të dhjeta e konsiderojnë kaos mësimin e dhënë me shënime. Mario Lëngu është një nxënës në klasën e dhjetë. Ai shprehet se e ka të pamundur mbajtjen e mësimit me shënime, ndërkohë që tregon se ka shkuar me prindërit deri në Tiranë për të kërkuar librat që i mungojnë. Jo vetëm ai, por edhe mjaft nxënës të tjerë janë shprehur se u mungojnë më shumë se 4 tekste mësimore dhe pothuajse dy orë mësimi gjatë ditëve të shkollës i duhet që t‘i mbajnë me shënime. Mësuesit nga ana e tyre shprehen se i lënë më shumë kohë shpjegimit, pasi u nevojiten minuta më shumë për të arritur marrjen e mësimit me shënime. Por, në Drejtorinë e Arsimit Fier, në sektorin e kurrikulave të tregojnë se kanë qenë procedurat e MASH-it ato që kanë shkaktuar vonesë të teksteve shkollore për nxënësit e klasave të dhjeta. Vladimir Kajusha, shefi i kurrikulave në DRA-në e Fierit, jo vetëm që ka pranuar mungesën e teksteve shkollore, por është shprehur publikisht se lëndët me zgjedhje kanë shkaktuar vonesa të ardhjes së librit shkollor. Kajusha ka thënë se kërkesa për lëndët me zgjedhje është dhënë pas datës 16 shtator, pra dy ditë pas fillimit të shkollës, ndërkohë që kështu ka qenë e parashikuar nga MASH-i. Ai ka shpjeguar se u është kërkuar shtëpive botuese të pajisen sa më shpejt me tekste shkollore, ndërkohë që nuk ka lënë një afat për ardhjen e të gjithë librave të munguar.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›