Ujka: “Kemi mbështetje për ngritjen e komisioneve hetimore”
Autori i Lajmit: Red.
Kryetari i ri i Grupit Parlamentar të Partisë Demokristiane, Pashk Ujka, siguroi dje se demokristianët i kanë votat e nevojshme për të ngritur komisione hetimore për përgjimin e deputetëve të saj. Ai pohoi se kryesia e PDK-së vendosi ngritjen një komisioni hetimor për përgjimet, sepse kërkon të saktësohet gjithçka që është përfolur në media dhe akuzat që janë bërë. Ujka shprehu bindjen se nisma e tyre do të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve. “Është një problem kushtetues prandaj mendoj se do të ketë mbështetjen e gjithë deputetëve. Për këtë çështje unë jam takuar me Presidentin e Republikës, i cili më siguroi do të jetë në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit. Ai garanton se do jetë mbi palët”, - tha Ujka. Ai kritikoi akuzat e segmenteve të ndryshme të PD-së, duke pohuar se nuk mund të përgjithësohet një fakt. Kreu i deputetëve demokristianë pohoi se PDK do të presë vendimin e drejtësisë dhe mbi bazën e tij do të përcaktojë qëndrimet e mëtejshme. Lidhur me bashkëqeverisjen me PD, Ujka tha se partia që ai përfaqëson vazhdon të jetë pjesë e mazhorancës dhe të mbajë lidhje me të.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007