E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filip Ngjela, përcillet për në banesën e fundit njeriu që buronte mirësi

 

Ferdinand Dervishi

Dje në mesditë, në Tufinë, kur të gjallët hodhën nga një grusht dhe’ mbi arkivolin e Filip Ngjelës, koha u ndal për pak dhe nga qielli ranë pika të mëdha shiu duke detyruar një pjesë të të pranishmëve të hapnin çadrat. Deri në atë kohë shiu vetëm sa ishte endur nëpër qiellin e Tiranës, i pavendosur të lëshonte gjëkundi ndonjë rrebesh. Ne shqiptarët që, jo për fajin tonë, jemi çmësuar të bëjmë kryqin, apo të pëshpërisim ndonjë varg të Kur’an-it, mbase nuk dimë të lexojmë si duhet këtë sjellje të motit. Të tillë, nuk jemi në gjendje as të vlerësojmë ato shenja që Zoti do të përcjellë për humbjen e një njeriu me të cilin ai ka pasur marrëdhënie sërish për ne të panjohura. Të panjohura deri në momentin kur miq e shokë të Filipit nisin dhe përfundojnë rrëfimet në adresë të tij duke përmendur shpesh togfjalëshin ”ishte një njeri nga i cili buronte vetëm mirësi”.
Kush ishte
Filip Ngjela, njeriu për të cilin moti lëshoi lot mesditën e djeshme, u lind në Gjirokastër më 15 gusht 1954. Ai iku nga kjo botë, mbylli përgjithmonë sytë, më 19 tetor 2009, pas luftës së gjatë me një sëmundje të pashërueshme. E shoqja, Shefikat Ngjela, dhe i biri, bënë të pamundurën për të përmirësuar shëndetin e tij, duke e shtruar në një nga spitalet më të famshme të botës, në Nju Jork. Në të njëjtin spital ku ishte shtruar për tu kuruar edhe senatori Ted Kenedi. Por edhe pse u pagua një nga kirurgët më të mirë në botë, edhe pse vetë Filipi gjeti kurajën që të bënte deri në 3 kilometër ecje në lulishte, sëmundja e pashërueshme arriti ta mposhtë. Kështu u shua pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë që falë punimeve shkencore në fushën e ekonomisë, meritoi titullin Profesor i Asociuar. Kolegët dëshmojnë se Prof. Asoc. Filip Ngjela, kishte mundur të bënte në mënyrën më perfekte të mundshme pikërisht rolin e tij si mësimdhënës. Më tej, i njëjti, pas ndryshimit të sistemit, jo krejt rastësisht, pati sukses edhe në fushën e biznesit. Fillimisht u investua në industrinë e letrës, më tej si aksionier i “Birra Tirana”, i shoqërisë së sigurimeve “InterAlbanian” si dhe i “Hotel Tirana International”. Biznese edhe këto të të njëjtit sukses si në fushën e mësimdhënies, të ndërtuara edhe me kontributin e së shoqes, Shefikat Ngjela.
Respekti
Vetë Presidenti i Republikës Bamir Topi, rezervoi kohën të bëjë homazhe pranë trupit të pajetë të Prof. Asoc. Filip Ngjelës, në ceremoninë e organizuar nga kolegët e tij në Fakultetin e Ekonomisë. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja, ai u përkul me nderim përpara arkivolit të njeriut të pazakontë. Nuk mungoi në këtë ceremoni edhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, Sekretarja Organizative e LSI-së, Monika Kryemadhi, Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, një sërë personalitetesh të politikës si Arben Malaj, Petro Koçi, Besnik Dervishi dhe sidomos të biznesit, si Luan Bregasi, ish-kryetar i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, botuesi i “Panorama”, Irfan Hysenbelliu, e të tjerë. Pas homazheve, kortezhi u nis për në varrezat e Tufinës. Ku asistuan edhe Xhoana Nano, bashkëshortja e Fatos Nanos, si dhe Monika  Kryemadhi. Duke lexuar fjalën e lamtumirës, sikur të bashkonte në një frazë të vetme gjithë vlerën e njeriut që po i jepej lamtumira, miku i tij, Luan Bregasi, theksoi: “Humbja e Filipit do të na shkaktojë një dhimbje të thellë për një kohë të gjatë, por Filipi ka lënë pas një trashëgimi të madhe shoqërore, shkencore, ekonomike, gjë që e bëjnë atë të paharruar”.

Dhori Kule: Filipi ishte modeli i njeriut të mirë
Rektori i UT, Dhori Kule, pjesëmarrës në ceremoninë mortore të organizuar në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, duke bërë një parantezë besimi, foli me dorën në zemër për kolegun e vet të sapondarë nga jeta. “Filipi ishte një nga njerëzit më të mirë që kam njohur. Nuk flas me këtë gjuhë sepse është bërë zakon që pas vdekjes të flitet mirë. Aspak. Sepse për mua ai ka rrezatuar të njëjtën mirësi, si para dhe pas vdekjes. E kam njohur si një pedagog të aftë me shumë kërkesa ndaj vetes, si një njeri shumë modest, si një njeri nga i cili buronte vetëm mirësi. Shkurt ishte i rrallë. Studentët i trajtonte si të kishte përpara fëmijët e vet. Ka kontribuar shumë në fushën e botimeve shkencore të fakultetit, kur herë ka qenë autor e herë bashkautor, ndërkohë që për shkencën, për këto botime dhe të tjera, nuk i kursente të hollat që natyrisht i merrte nga buxheti i bizneseve të familjes së tij. Kështu që unë këto ditë e kam ndier shumë fort humbjen e një shoku dhe një kolegu të mirë. Ishte një nga burrat e rrallë që kam pasur fatin të njoh. I kompletuar për mirë në të gjitha drejtimet. Nuk i gjeje dot defekte. I kishte dhënë Zoti avantazh të përcillte vetëm mirësi”, ishin fjalët e zotit Kule në adresë të kolegut të tij, Filip Ngjela.

Ahmet Ceni: Filipi reflektonte ëmbëlsi
Kolegu i fakultetit, Profesor Ahmet Ceni, që tregoi se e kishte njohur Filip Ngjelën që nga viti 1973 deri në ditët e fundit të jetës, përmendi si epitet të parë për mikun e tij ëmbëlsinë që ai rrezatonte. “Jam njohur që kur ishim studentë me Filipin dhe që nga ajo kohë kemi qenë pothuaj gjithmonë bashkë, pasi që të dy më pas u emëruam pedagogë. Ka qenë gjithmonë një njeri dashamirës, energjik dhe i çlirët me një dëshirë të sinqertë për ti ndihmuar të gjithë. Filipi u emërua në vitin 1983 Pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë, në katedrën e Ekonomisë së Industrisë. Ai pati sukses si në aspektin pedagogjik ashtu dhe në atë kërkimor-shkencor. Në fushën pedagogjike kishte elokuencë perfekte, zotëronte shumë mirë sallën e studentëve, ishte mjeshtër i mënyrës së komunikimit. Ndërsa studentët i konsideronte jo thjesht si mësimnxënës, por si njerëz me personalitet të veçantë dhe si kolegë të ardhshëm të tij. Përfundimisht për mua Filipi ka qenë një njeri jashtëzakonisht këmbëngulës e i vendosur, shumë i ndershëm e i sinqertë. Ai reflektonte ëmbëlsi në punë dhe në shoqëri. Ishte model i njeriut që do të mbetet shembull për brezat që do të ngjisnin shkallët e këtij fakulteti”, ishin fjalët e Profesor Cenit në adresë të kolegut të tij, Filip Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›