Formulari A3, afati deri në 26 tetor, si të shmangni gabimet
ADI SHKEMBI
Ka të njëjtin format si formulari A2. I vetmi ndryshim është se përbri degëve, ku ka kuota të lira është shënuar numri i vendeve bosh. Ndaj maturantët duhet të bëjnë kujdes dhe të përzgjedhë 10 nga këto degë. Nëse gjatë plotësimit cakton një nga programet e studimit që tashmë i ka të mbyllura regjistrimet do të skualifikohet. Gjithashtu, kandidatët duhet të shkruajnë mirë gjeneralitetet dhe të gjithë elementët e tjerë njësoj si me formularin A2. Udhëzimi i hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit lejon plotësimin e preferencave të reja deri në mbrëmjen e 26 tetorit. Pas këtij afati të gjithë formularët e plotësuar do të dërgohen në APRIAL, ku sistemi kompjuterik do të mundësojë renditjen e fituesve të çdo programi në bazë të pikëve që kandidati ka për secilën preferencë. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit përcaktohet edhe afti i shpalljes së listave të kandidatëve fitues, si dhe afatet e regjistrimeve. Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8:00 deri në orën 18:00. Për regjistrim kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen individuale me këto dokumente origjinale: “dëftesë pjekurie (në mungesë vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë arsimore rajonale ose drejtori i zyrës arsimore, si dhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij, (në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit) në mungesë të tyre kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë”. Ndërsa për kandidatët që kanë ndërruar degë duhet edhe vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. Ministria e Arsimit deklaron për kandidatët që do të shpallen fitues gjatë kësaj faze se tarifa e regjistrimit prej 1,500 lekësh, e arkëtuar nga kandidati për regjistrimin përfundimtar të fazës së dytë të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në fakultetet publike do të kalojë me xhirim nga llogaria e degës së thesarit, ku institucioni publik i arsimit të lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e thesarit të universitetit, ku do të bëjë regjistrimin përfundimtar gjatë fazës së tretë. Nga të dhënat paraprake formulari është tërhequr deri tani nga rreth 440 kandidatë që kërkojnë të ndryshojnë degën e tyre dhe 3,000 të tjerë që duan të regjistrohen në universitetet publike të Tiranës. Ndërkohë, edhe drejtoritë e rretheve kanë pasur kërkesa të shumta për plotësimin e vendeve të mbetura bosh dhe programeve të reja të miratuara nga qeveria për këtë vit akademik. Aplikuesit e kësaj faze do të përzgjedhin në formularin e preferencave dhjetë degë të caktuara sipas rendit zbritës.
Kuotat e reja, faza e trete e regjistrimeve
Universiteti i Tiranës 267
Universiteti Politeknik i Tiranës 210
Universiteti Bujqësor i Tiranës 155
Universiteti i Durrësit 225
Universiteti i Korçës 260
Universiteti i Shkodrës 300
Universiteti i Elbasanit 380
Universiteti i Gjirokastrës 293
Universiteti i Vlorës 25
Akademia e Arteve 42
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve 100
GJITHSEJ 2.257